Pamje interesante, “treni” i satelitëve ‘Starlink’ në qiellin e Shqipërisë

 Pamje interesante, “treni” i satelitëve ‘Starlink’ në qiellin e Shqipërisë

Qytetarët në Elbasan, Korçë e Berat e disa qytete të tjera të Shqipërisë, kanë parë mbrëmjen e djeshme një “grup dritash” në qiell. Disa objekte vezulluese që lëviznin me shpejtësi të konsiderueshme e që pas disa minutave të dukshme për syrin, zhduken papritur.

Fjala nuk është për ndonjë ‘UFO’, por për projektin e satelitëve “Starlink”, të kompanisë së miliarderit Elon Musk.

Abc ka publikuar një video të fenomenit interesant, të cilin mund ta shikoni këtu.

Kjo nuk është hera e parë që ‘treni’ i satelitëve kalon mbi qiellin e Shqipërisë. Vitin që lamë pas, në muajin prill, ‘treni’ u pa nga dhjetëra qytetarë.

“Treni” i satelitëve që orbitojnë në një lartësi prej rreth 550 kilometrash nga sipërfaqja e tokës, është një projekt për të siguruar internet të shpejtë në vende e zona të largëta, me kosto të ulët. Pak ditë më parë kompania “Space X” lëshoi në hapësirë 60 satelitë të tjerë dhe ka për qëllim që të lëshojë rreth 12 mijë të tillë, duke krijuar kësisoj një ‘kostelacion’ satelitësh në orbitën e tokës.

Lëshimi i këtyre satelitëve në orbitën e Tokës ka sjellë debate, veçanërisht në SHBA, ku është argumentuar se numri i lartë i tyre mund të sjellë problematika në vëzhgimin e studimin e planetëve e sistemeve të tjera qiellore nga teleskopët.

Në orbitë ka mëse 6000 mijë satelitë, shumica e të cilëve tashmë nuk janë më operativë dhe janë kthyer në ‘space junk’ (mbeturina hapësinore). Deri më vitin 2020, ka ende 2660 satelitë, të cilët janë operacionale dhe orbitojë planetin tonë.