Pamjet, Thumana ‘ringrihet’ nga rrënojat e tërmetit! Elvis Naçi ka një këshillë për skeptikët

 Pamjet, Thumana ‘ringrihet’ nga rrënojat e tërmetit! Elvis Naçi ka një këshillë për skeptikët

Themelet janë ngritur dhe tashmë po shihen shtëpitë që do të presin ata shqiptarë që provuan tmerrin e 26 nëntorit, ku lëkundjet e tokës morën jetë njerëzish.

Jemi në Thumanë dhe emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ ka kryer një tur të shkurtër për t’u treguar të gjithë shqiptarëve se në ç’fazë janë punimet për ndërtimin e 170 banesave individuale.

Puna e kryer është kolosale dhe një fakt i pakundërshtueshëm për një pakicë skeptikësh që kanë hedhur akuza në drejtim të emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ në lidhje me menaxhimin e parave të mbledhura nga donacionet.

Në emision, Elvis Naçi u shpreh se një pakicë e vogël ka hedhur akuza se paratë janë ‘zhdukur’, por ndryshe flasin pamjet.

Elvis Naçi: Ka pas një pakicë shqiptarësh, s’po them më shumë, që na kanë bërë akuza….nuk ia kishim kujt për borxh që ishim nisur për të bërë diçka të mirë dhe një pakicë e shqiptarëve për një vit derisa doli leja, të atyre që kanë hedhur akuza që më duket se i keni marrë lekët ju… vetëm në Shqipëri mund të ndodhë kjo. Gjithsesi këto janë një pakicë pasi shumica e shqiptarëve janë me ne.

Ja shiheni Thumanën ku është…

Sidrit Bejleri: Populli shqiptar ka shprehje e sentenca të goditura. Më kujtohet, me të vërtetë kanë qenë një pakicë, por siç thuhet një drru i shtrembër e prish turrën… por ama thuhet dhe ajo tjetra, që delja që ndahet nga tufa e han ujku.

Një fakt madhor që më gëzon përtej thashathemnajava, mua më gëzon aty flamuri shqiptar dhe mbështetja e madhe që bëhet në rrjetet sociale. Ja ku janë të gjitha dhurimet, paratë e shqiptarëve.

Elvis Naçi iu drejtua me një këshillë shumëkujt që ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për fondet.

Naçi: Infrastruktura është bërë nga qeveria shqiptare. Afër banesave që po ndërtojmë me shqiptarët, do të bëhen dhe tre pallate. Dua t’i them një formulë shqiptarëve që kanë xhelozi.

Xhelozia, cmira, urrejtja është primitive. Të mos pëlqesh diçka të tjetrit është njerëzore, por mos e kthe në xhelozi sepse është primitive. Të bësh një model më të mirë është civilizuese, kurse e anasjellja është primitive. Unë jam i gëzuar se po kalojmë në një vepër të mirë.

Në Thumanë vijon puna për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar. Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët është rikthyer për të prekur nga afër realitetin që po ndodh aty.

Një punë kolosale është bërë përgjatë një viti me terrenin e vështirë ku u konsolidua trualli me shtresa të posaçme dhe u bë e mundur shtrirja e rrjeteve të infrastrukturës rrugore e nëntokësore.

Por gjithçka tanimë duket se ka marrë formë dhe prej disa javësh ka nisur ndërtimi i 170 shtëpive individuale, premtim i mbajtur i fondacionit “Firdeues”. Punimet në Thumanën e re po ecin çdo ditë me ritme të shpejta.

Themelet janë hedhur të forta, e po aq të forte po ngrihen dhe muret e çdo shtëpie që do të strehojë rreth 170 familje që kane mbetur pa çati mbi koke prej asaj fatkeqësie.

Në studio Elvis Naçi tha se Thumana është simbol edhe i bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe se vetëm këtu e kupton më mire punën e madhe që po bëhet dhe të gjithë e presim atë dite kur gjithçka të ketë përfunduar e dyert e rreth 170 shtëpive të hapen për të pritur banorët e rinj.

Gjithçka në Thumanë po rilind, po lulëzon e po ndryshon duke marrë me shpejtësi formën e një qyteze të re e të bukur, në çdo tullë që vihet duket bashkimi i shqiptarëve që kontribuan vitin e kaluar.