Pamjet video, si u tensionua situata në veriun e Mitrovicës

 Pamjet video, si u tensionua situata në veriun e Mitrovicës

Veriu i Kosovës është përfshirë nga tensionet e përplasjet mes policisë kosovare e disa serbëve. Gjithçka ka nisur pas një aksioni policor të autoriteteve të Kosovës kundër mallrave kontrabandë, operacion i kryer në Prishtinë, Pejë, Mitrovicën e jugut dhe në atë të veriut.

Në të gjitha rajonet aksioni nuk ka hasur në probleme, me përjashtim të Mitrovicës së Veriut, atje ku disa grupe serbe janë grumbulluar e kanë krijuar bllokime të rrugëve. Shumë prej tyre kanë hedhur sende të forta në drejtim të oficerëve të Kosovës. Nuk kanë munguar përdorimi i molotovëve, bombave të shokut e madje nëpër tokë janë gjetur dhe gëzhoja fishekës.

Zveçan

“Në të gjitha rajonet e tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë të Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, njoftoi policia e Kosovës.

Të paktën 6 efektivë mbetën të lënduar si pasojë e goditjes së tyre me sende të forta. Goditjes me gurë e sende të tjera nuk i shpëtuan as gazetarët, siç raportoi media në Kosovë.

Pas aksionit të policisë, autoritetet njoftuan se në pranga ranë 8 persona, 6 shqiptarë, një serb dhe një boshnjak, të akuzuar për kontrabandë të mallrave.

“R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës, A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës, M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri, I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri, M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri”, njoftoi policia.

Pas tensioneve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri apeloi për qetësi

“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, -tha Kurti.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të reagojë

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, thuhej në komunikatë

Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell, kërkoi që “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkruajti Borrell në Twitter.