Pandeliu e Olimbia, dy të moshuarit që ushqejnë flamingot në lagunën e Nartës

 Pandeliu e Olimbia, dy të moshuarit që ushqejnë flamingot në lagunën e Nartës

Fëmijët e tyre janë larg, por Pandeliu e Olimbi Biba nuk janë vetëm në shtëpi. Ata jetojnë buzë lagunës së Nartës dhe rrethohen nga shpendët e rrallë që vijnë atje, përfshi dhe flamingot e bajzat.

Pandeliu thotë se del për ‘shëtitje’ shpesh me varkë. Madje e quan shokun e ngushtë varkën e tij të vogël.

“Shoku i ngushtë, varkën kam. Madje edhe kur ngrihem në mëngjes, varkën shikoj. E kam si makinë këtë varkë. Shtëpinë e kam thuajse në gjol dhe e dua ktë vend.”

Dy të moshuarit u hedhin ushqim shpendëve të rrallë. Shpesh herë ndodh që flamingot apo bajzat të hyjnë në oborrin e shtëpisë së tyre, teksa dy të moshuarit i shoqërojnë me sy pa i shqetësuar.

“Flamingot janë bërë si miq të shtëpisë. Shpendët futen në oborr shpesh. Këtu i kemi përditë dhe bashkë me flamingot pimë kafen në mëngjes.”– thotë Pandeliu në një prononcim për Top Channel.

“Na shoqërojnë tërë ditën.”- thotë Olimbia, e cila shton se pavarësisht se janë të vetëm në banesë, ditën e kalojnë nën ‘shoqëri të mirë’.