Pas lindjes së vajzës e 3 javëve në intubim, 22 vjeçarja merr frymë për herë të fundit

 Pas lindjes së vajzës e 3 javëve në intubim, 22 vjeçarja merr frymë për herë të fundit

Një ngjarje e trishtë erdhi sot nga spitali Shefqet Ndroqi (Covid2). Një nënë e re, veçse 22 vjeçe, ndërroi jetë këtë të mërkurë për shkak të Covid.

Prej tre javësh ajo dergjej në shtrat me frymëmarrje të drejtuar (në intubim). 22 vjeçarja ishte shtatzënë dhe për t’i shpëtuar jetën bebes, mjekët kryen një ndërhyrje (çezariane) për ta sjellë në jetë foshnjen.

Ndërhyrja shkoi mirë dhe 22 vjeçarja u bë me vajzë.

Javën e kaluar televizioni Abc foli me mjekët që kryen dhe ndoqën operimin e më pas gjendjen e foshnjes.

“Pacientja ka qenë gjatë gjithë kohës e konsultuar, dhe në momentin që u dha një ok dhe nga ana e neonatëve, për mbijetesën e bebit, vendosëm që të ndërpresim shtatëzaninë. U bë me lindje cezariane. U krye në kushte optimale sa i përket sallës. Pacientja ka qenë e intubuar. Jemi munduar që të ndërhyjmë në një kohë sa më të shkurtër.”-deklaronte mjeku që kreu operimin javën e kaluar.

Vajza e 22 vjeçares me origjinë nga Korça, fatmirësisht është mirë dhe nuk ka rezultuar e prekur nga Covid. Por sot ajo fatkeqësisht ka mbetur pa nënën, e cila ia dorëzoi shpirtin Krijuesit.

22 vjeçarja është i dyti rast në Shqipëri brenda pak javëve, i grave që humbin jetën gjatë shtatzanisë për shkak të komplikacioneve prej Covid. Disa ditë më parë, një 28 vjeçare me origjinë nga Elbasani humbi jetën prej Covid, pak kohë pas lindjes së parakohshme të foshnjes së saj.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri, nga 3035 teste të kryera, janë regjistruar 631 raste të reja, ndërsa numri i vdekjeve ka kapur shifrën e 17 personave, përfshi këtu dhe atë të 22 vjeçares.