“Pasioni vrasës” Si po e humbin jetën qindra të rinj e të reja për një ‘selfie’

 “Pasioni vrasës” Si po e humbin jetën qindra të rinj e të reja për një ‘selfie’

Në shekullin e XXI një ndër shqetësimet kryesore të të rinjve mbetet imazhi. Jo ajo që përfaqësojnë apo vlera e tyre, por më shumë fotoja që del në rrjetin social. Fatkeqësisht ky është realiteti kudo që e kthen kokën dhe ‘kurorën’ e këtij fenomeni e mban ajo që të gjithë e njohin si ‘selfie’.

Por a e dini se qindra të rinj, në përpjekje për të kapur një moment ‘ekstrem’, apo krejt ndryshe nga të tjerët, kanë lënë jetën e tyre…?

Sipas shifrave të hartuara nga rrjeti inkifi.com, rezulton se për shkak të ‘selfie’, kanë vdekur rreth 330 persona në të gjithë globin në dekadën e fundit.

Aksidente, mbytje, rënie nga lartësia, rryma elektrike e të tjera shkaqe, që i kanë marrë jetët të rinjve duke tentuar të bëjnë një foto.

Tre janë vendet që ‘dallohen’ për numrin e lartë të këtyre vdekjeve të ardhur nga pakujdesia. Këto janë numra të konfirmuar të vdekjeve që kanë ardhur si pasojë e incidenteve të ndodhura prej Selfie. India- 176 persona; SHBA 26 persona dhe Rusia me 19 të tilla.

Shumica e aksidenteve me pasojë vdekjen kanë ndodhur pranë linjave hekurudhore. Rreth 62 njerëz kanë vdekur duke fotografuar veten pranë binareve të trenit, 38 nga rëniet në humnerë dhe 24 të mbytur në lumenj, mes të tjerave.

Në Britani një nënë e dy fëmijëve ndërroi jetë në aksident, teksa i jepte biçikletës dhe po kryente një selfie.

Një prej ngjarjeve më domethënëse të këtij ‘pasioni vrasës’ ishte ajo që ndodhi në 2017, kur tetë djem në moshë të re, u mbytën pas përmbysjes së varkës (teksa po tentonin të bënin një foto selfie) në një liqen.

Në janar të vitit që lamë pas një 21 vjeçar ra nga një lartësi prej 30 metrash, vetëm sepse po tentonte të bënte foto pranë agimit të diellit në Australi.

Një prej aksidenteve më rënda ka qenë dhe ai i vitit 2018, kur pesë persona ndërruan jetë teksa tentonin të bënin selfie këpucësh në një helikopter. Helikopteri u rrëzua në lumë (SHBA) dhe të gjithë personat në ekuipazh u mbytën