Për 45 vite në shërbim të pacientëve, shuhet mjeku shqiptar
Për 45 vite ia kushtoi jetën shërbimit në otorinologji dhe kohët e fundit gjatë pandemisë, iu gjend pranë edhe atyre qytetarëve që kishin të tjera probleme përtej specialitetit të tij.
Ka ndërruar jetë këtë të hënë mjeku Muharrem Nonaj. Doktori në rrethin e Skraparit u shua për shkak të Covid.
“Ai shërbeu ne rrethin e Skraparit për më shumë se 45 vjet si mjek otorinolaringolog duke zgjidhur të gjitha problemet dhe urgjencat në këtë specialitet. Vitet e fundit për shkak të largimit të shume specialistëve nga rrethi i Skraparit Dr. Muharremi ka zgjidhur edhe shumë probleme të specialiteteve të tjera. Zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj pacientëve e kanë bërë Dr. Muharremin nje figurë te dashur dhe të respektuar për të gjithë rrethin e Skaraparit, qytetin e Poliçanit dhe atë të Beratit. I shprehim ngushëllimet e thella familjarëve dhe lutemi që shpirti i Tij të prehet në paqe. “-shkruan në një reagim shoqata e mjekëve ORL.
Ndërkohë dhe kolegët kanë përcjellë me dhimbje lajmin për vdekjen e doktor Nonajt.
“Na hidhërove xhaxhi Muharremi me ikjen tënde… Sa shumë ke bërë për të gjithë ne që u lindëm dhe u rritëm në Skrapar.. Për mua ish shok i prindërve të mi dhe babai i shokut tim.. U prefsh në paqe”- shkruan mjeke Kozeta Mustafaraj.
Deri më tani në Shqipëri kanë vdekur mbi 20 personel mjekësor, përfshi këtu mjekë, infermierë apo persona që kanë qenë në frontin e parë të kontakteve me Covid.