Përballja në gjyq e një babai me ish- oficerin që i mori jetën të birit, Klodianit

 Përballja në gjyq e një babai me ish- oficerin që i mori jetën të birit, Klodianit

Këtë të premte u zhvillua seanca paraprake për ish- oficerin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili qëlloi për vdekje me armën e shërbimit 25 vjeçarin Klodian Rasha, një ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë.

Në seancë, ish- oficeri i ‘shqiponjave’ u përball me babain e Klodianit. Nevaldo Hajdaraj ka qëndruar në shumicën e kohës me kokën ulur. I ka kërkuar falje Qazim Rashës.

“Më vjen keq për atë që ndodhi, nuk doja të ndodhte kurrë,” – i është drejtuar ish- polici babait të Klodian Rashës.

Në përfundim të seancës së shkurtër, për median foli babai i Klodianit, Qazim Rasha.

“Kam kërkuar që ditën e parë drejtësi dhe vetëm drejtësi. Sot erdha të dëgjoj dhe të shikoj në sy, ballë për ballë, se çdo të thotë drejtësia.

Shpresoj që tragjedi të tilla asnjë familje të mos i përjetojë. Asnjë zemër nëne të mos plagoset, asnjë zemër vajze dhe djali të mos vritet në një mënyrë makabre si djali im”, tha Qazim Rasha. 

Avokati mbrojtës i ish- oficerit ka kërkuar ndryshimin e akuzës nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme”. Gjithashtu pala mbrojtëse kërkoi “gjykim të shkurtuar” për të akuzuarin. Pavarësisht këtyre kërkesave, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe dosja tashmë do të kalojë për gjykim në themel.

Më datë 8 dhjetor, sipas organit të akuzës, ish- oficeri është përplasur fizikisht me Klodian Rashën, i cili u pikas nga policia në shkelje të rregullave për orarin e karantinës. Oficeri e ka kapur nga duart 25 vjeçarin e në përplasje e sipër, Klodian Rasha ka mundur të largohet. Nevaldo Hajdaraj është pozicionuar dhe e ka qëlluar për vdekje Klodianin me dy plumba. Prokuroria kërkoi që Hajdaraj të dënohet nën akuzën e “vrasjes me dashje”, duke argumentuar se e ka patur të qartë, që 25 vjeçari nuk ka qenë i armatosur.

Vrasja e Klodian Rashës solli një valë zemërimi e protestash kudo në Shqipëri, tubime të cilat zgjatën për mëse një javë.