Përlot 11 vjeçarja: Çdo ditë vuajtje! Nëse nuk operohem, rrezikoj jetën

 Përlot 11 vjeçarja: Çdo ditë vuajtje! Nëse nuk operohem, rrezikoj jetën

“Jetoj me mamin e babin dhe me dy vëllezërit e mi. Nga skolioza vuaj… sëmundja më ka shoqëruar çdo ditë të jetës”

Me zërin e dridhur i përcjell këto fjalë një 11 vjeçare. Me të vërtetë vuan çdo ditë. Mbi 20 herë ka shkuar në spital vetëm sepse sëmundja i ka bllokuar frymëmarrjen.

Orgita Balliu quhet kjo 11 vjeçare dhe nuk ka një kujtim të bukur. Prej 10 vitesh sëmundja ia ka hidhëruar çdo memorje, i ka vjedhur fëmijërinë.

Orgita: Jetoj me mamin e babin dhe dy vëllezërit e mi. Vuaj nga skolioza, më rrezikon jetën.  Sëmundja më ka shoqëruar do ditë… dhimbje kam shumë (qan) shumë më dhemb shpina.

Tre operime ka kryer Orgita, por trupi i saj nuk është shëruar. Në kurriz ka shenja të thella, të një beteje të gjatë, të një lufte që rrezikon ta humbë.

Pavarësisht vështirësive, dëshira e saj është të bëhet një doktoreshë. Të ndihmojë nënën e babanë, sepse nuk e duron dot më t’i shohë duke qarë për shkak të saj.

Orgita: Ulem tek karrigia e shkruaj detyrat, por kam shumë vështirësi. Asnjëherë nuk kam luajtur me shoqet, ndihem ndryshe nga ato. Unë jam shumë e sëmurë (qan) mami dhe babi mërziten për mua. Unë kam ëndrra, dua të nis shkollimin për doktoreshë… të punoj për mamin e babin, se nuk dua ti mërzit më ato.

Orgitës i nevojitet një operim i fundit jashtë shtetit, që t’i shpëtojë makthit të vuajtjeve. Nëse operimi nuk kryhet brenda pak javëve, ajo rrezikon të humbasë jetën.

Orgita: Duhet të kisha bërë operimin e katërt, por familja ime nuk ka para. Doktori na tha se nëse operimi nuk bëhet brenda muajit maj… (qan) më rrezikohet jeta. Kam shumë frikë.

I lutem shqiptarëve të vënë dorën në zemër për mua, që dhe unë të jem si shoqet e mia. I lutem xhaxhi Elvisit e Sidritit, ju lutem më shpëtoni.