Përlot nëna e Deanit: Më duket si një ëndërr! Deani më tha mezi pres të shkoj tek aeroplani

 Përlot nëna e Deanit: Më duket si një ëndërr! Deani më tha mezi pres të shkoj tek aeroplani

Pas 9 viteve vuajtje, tashmë nuk ka më kohë për lotë. Mijëra shqiptarë u bënë bashkë, që kjo ditë të ndodhte. Deani bëhet gati për t’u nisur në Itali. Elvisi e Sidriti nisen me autoambulancë nga spitali Continental që të marrin 9 vjeçarin për ta dërguar drejt Rinasit.

Sidriti:Në fakt është një nga ato rrugët e vështira që kemi bërë, shumë emocion

Elvisi: Ndoshta rasti më i vështirë, sepse tashmë Deani është bërë një lajm shumë i madh dhe ne jemi në atë tensionin, që ai të shkojë sa më mirë

Sidriti: Po edhe gjendja e tij shëndetësore e rëndë është

Elvisi: Po shumë e rëndë. Para se të niset do të bëjë dializën dhe menjëherë sapo të shkojë atje do të bëjë sërish dializën në Itali.

Ndërkohë atje i pret nëna dhe babai i 9 vjeçarit. Evës i shkëlqejnë sytë dhe për të parën herë në shumë kohë, jo për shkak të lotëve, por prej gëzimit. Sa lutje e lotë janë derdhur për të birin e saj, askush nuk e di.

Por sot është një ditë gëzimi, një ditë lumturie. Eva na tregon se akoma duket si një ëndërr.

Nëna e Deanit: Jam shumë e lumtur që Deani do të niset drejt Italisë… 9 vjet këtu, ishte shumë e vështirë. Kurse në Itali ka shumë shpresë. Deani më tha mezi po pres sa të gdhihet nesër, të shkoj te ai piloti, tek aeropolani.

Fillimisht Deani do të kryejë ndërhyrje për rrugët urinare dhe më pas për transplantin e veshkës. Kemi shumë shpresë se është një ndër spitalet më të mira. Më duket si një ëndërr, nuk më besohet… një ëndërr që po më realizohet.

Babai i Deanit: Jam shumë i lumtur që djali mori një zgjidhje. Jam gati t’i dhuroj organet e mia që ai të ketë një fëmijëri si të gjithë fëmijët e tjerë. Do të realizojmë gjithçka, se Zoti është i madh. Falenderojmë Elvis Naçin, Sidrit Bejlerin, të gjithë stafin dhe shqiptarët.

Tashmë Deani del nga spitali i pediatrisë në Tiranë, atje ku qëndroi për 9 vite dhe ku kreu aq shumë operacione. Sot ai buzëqesh më në fund.