Plotësohet amaneti i Isakut: Shtëpi për të sëmurin me tumor

 Plotësohet amaneti i Isakut: Shtëpi për të sëmurin me tumor

I vetëdijshëm se jeta e tij do të marrë fund para kohe, Isakut i shtohet edhe më shumë dhimbja që përballon çdo ditë kur sheh në sytë e tre fëmijëvë e tij.

Isak Ramadani jeton në Shkup të Maqedonisë dhe është diagnostifikuar me sëmundjen e rëndë të kancerit. Për veten nuk shqetësohet shumë edhe pse kohët e fundit as ilaçet nuk po ia qetësojnë më dhimbjet. Shqetësimi i tij kryesor mbeten 3 fëmijët, dy vajzat dhe djali i vogël vetëm 5 vjeç. Lotë i rrjedhin kur i sheh dhe mendon se do t’i lërë në mes të katër rrugëve.

Isaku i bëri thirrje shqiptarëve dhe emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” që ta ndihmonin. Ai thoshte se do donte t’i mbyllte sytë i qetë dhe të gjente fëmijët e tij në një shtëpi pasi prej mëse 10 vitesh jeton me qira. Sidrit Bejleri shkon në Shkup të Maqedonisë së Veriut për ta takuar Isakun. Sheh me sy se ai e ka të vështirë të qëndrojë ulur dhe se dhimbja po ia merr jetën. Isaku vetë tregon se me zorr merr frymë.

Sidrit Bejleri: Si ke qen Isak?

Isaku: Mir me thënë… pasi i piva nja 10 barna u qetësova pak… Tumori më ka bllokuar fare krahun dhe ka filluar dhe gjoksi, me zorr marr frymë…Nuk mund të rri rehat as dy minuta, të më falni, dua të shtrihem pak

Bejleri: Isak erdha unë dhe Visi të kërkon ndjesë për mosprezencën. Isak, me durim…

Isaku: Tërë jetën kam punuar… nuk ia kam zgjatur dorën kurrkujt (qan)… Meraku më i madh i imi, t’i kisha shpëtu këta fëmijë prej qirasë… se vetë kam jetuar prej 11 vitesh me qira. E vështirë do ishte me jetu këta fëmijë me qira

Bejleri: Janë të vegjël fëmijët ende, nuk punojnë dot. Na ke parë që flasim e flasim atje në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, por përpara teje të lidhet gjuha. Unë nuk mundem me ta heq dhimbjen, por unë e kuptoj sepse jam prind vetë.

Isaku: Unë në atë dynja nuk do marr asgjë, por vetëm fëmijët, aty e kam hallin. T’i mbyll sytë i qetë, të mos i lë fëmijët në rrugë

Bejleri: Isak, unë dua të dish që rasti yt, ka prek jo pak shqiptarët. Duke pa dhimbjen tënde dhe atë amanet që t’i lëshove prej goje, nuk mund të rrihej më në Tiranë. Ne rrugën e kemi bërë dhe nëse ti ke forcë, me u bërë gati me u vesh dhe me dalë diku këtu afër.

Isaku ende nuk e di, por thirrja e tij prekëse ka sjellë lotë e po ashtu dhe një reagim të madh nga shqiptarët. Dhjetëra janë bërë bashkë dhe më në fund janë arritur fondet për t’i blerë një shtëpi familjes Ramadani.

Sidrit Bejleri ia thotë lajmin e mrekullueshëm në momentin që Isaku dhe familja qëndrojnë ulur në banesë.

Sidriti: Pas gjithë rënkimeve dhe vuajtjeve. Ai zëri yt u çua aq lartë e aq fuqishëm, shqiptarët u bashkuan bashkë. Unë si përfaqësuesi i tyre ju them se keni hyrë në shtëpinë tuaj.

Isaku: I falënderoj juve dhe shqiptarët që kanë marrë pjesë në këtë aksion humanitar… faleminderit ju (qan)