“Po shisnim shkrepsa, vllaun e vrau…” Tragjedia e familjes që jeton në gërmadhën e serbëve

 “Po shisnim shkrepsa, vllaun e vrau…” Tragjedia e familjes që jeton në gërmadhën e serbëve

Tetë vite më parë në Gjakovë, ashtu si çdo ditë, kishte dalë me vëllanë 8 vjeçar për të shitur shkrepëse në rrugë. Por atë natë të vonë dhe të ftohtë, Kreshnik Shkupi do ta shihte për herë të fundit vëllanë. Jeta e Elvirit do të këputej. 8 vjeçari u godit nga një makinë që ecte me shpejtësi të lartë. Vogëlushi vdiq në vend.

Kreshniku e ka të stampuar në mendje të gjithë skenën kur i vëllai u hodh tutje nga makina e gjeti vdekjen… në duar mbante shkrepëset që i shiste për të ndihmuar familjen. Kreshniku tregon se shpejtësia e makinës që i mori të vëllanë ishte aq e madhe, saqë Elviri ka ndërruar jetë pa rënë ende në tokë.

Kreshniku: Vjen një veturë shumë shpejt dhe e kam pa që e ka përplas vëllain… aq lart e ka gjujt, sa sipas mjekëve akoma pa rënë në tokë ka qenë i vdek. Akoma i kam ato skena para fytyrës, edhe sot akoma i përjetoj. Kemi qenë duke hy në një lokal me shit shkrepsa. Ai u nis pak para meje, ishte 20 metra larg meje. Ai që kreu atë akt iku, nuk ndaloi. Unë atë punë nuk kam mujt mo me e bo. Me e pa vëllain ashtu, nuk ke më vullnet me e punu atë punë.

Kjo është  vetëm një pjesë e historisë së trishtë të familjes Shkupi. Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ udhëtoi në Gjakovë për të parë nga afër kushtet në të cilat jetojnë 5 frymë.

Banesa ku jetojnë është e shkatërruar plotësisht. Me të çara nga të katra anët, kjo ngrehinë është kujtim i luftës së Kosovës. Madje banesa i përkiste një shtetasi serb i cili e braktisi në kohën e luftës. Sa për banesën e kryefamiljarit, Hajdarit, ajo ka dekada që është hedhur në tokë nga forcat serbe.

“Fill mbas luftës jemi strehu këtu. 17 vjet…muret andej janë plas. Kjo shembet po s’kemi ça me bo… do flemë aty në oborr”-thotë Hajdari.

Dhe strehimi i vetëm që gjeti 57 vjeçari për veten e tre fëmijët e tij ishte kjo godinë, që fare mirë nesër mund t’i zërë kokën. Brenda gjen qetësinë që të fal i ftohti, pisllëkun që sjell varfëria dhe heshtjen e një nëne që ka humbur të birin.

Valbona: Dolën me shit se kushtet e vështira i kishim… ishalla kujt nuk i ndodh ajo që m’ka ndodh. Djali ka qenë i urtë shumë, të tanë e kanë dash (qan) s’pat fat…

Përtej të gjitha këtyre, Kreshniku e Hajdari mundohen me sa fuqi kanë. I luten përditë mendjes që t’i harrojnë për pak të gjitha të këqijat dhe të gjejnë një punë për të shtyrë jetën… por pandemia e koronavirusit e ka bërë thuajse të pamundur.

 “Pandemia po na i bën shumë të vështirë të kërkojmë punë”-thotë Kreshniku, i cili përditë del për të kërkuar punë.

Kjo është gjendja me të cilën përballen përditë 5 pjesëtarët e familjes që i janë drejtuar me një thirrje shqiptarëve që t’i ndihmojnë.

Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ e dëgjoi thirrjen e kësaj familje ashtu si shumë shqiptarë që kontribuan për këtë familje të Kosovës.

Shikoni më poshtë se çfarë ka ndodhur me familjen.