Po shtohet numri i të rinjve në Shqipëri që shfaqin probleme me zemrën, çfarë sugjerojnë mjekët

 Po shtohet numri i të rinjve në Shqipëri që shfaqin probleme me zemrën, çfarë sugjerojnë mjekët

Konsumi i ushqimeve të paketuara apo të shpejta, konsumi i drogave apo alkoolit, këto faktorë e shumë të tjerë kanë bërë që shumë të rinj në Shqipëri të kenë nivele të larta të kolesterolit në gjak, ngjarje që me kalimin e viteve sjellin sëmundje të zemrës e probleme të veshkave.

Obeziteti tek fëmijët po ashtu, është kthyer në një shqetësim serioz edhe në Shqipëri, veçanërisht prej konsumit të tepruar të ushqimeve të paketuara dhe pijeve të gazuara. Mjekët kardiologë sugjerojnë që kontrollet e zemrës të nisin herët, për të shmangur komplikacionet në të ardhmen.

“Na ka ardhur shumë në ndihmë kontrolli bazë, kjo ka bërë që të evidentohen shumë sëmundje, nga ata me që vijnë nga yndyrnat e larta. Në mosha të reja është evidentuar kjo gjë, yndyrnat e larta ose diabeti.”-tha mjekja kardiologe në intervistë për median.

“Ne duhet të fillojmë matjen e yndyrnave që në adoleshencë e ndoshta edhe trajtimin e tyre që në këtë moshë, në mënyrë që ky person të mos jetë pretendent që në moshë madhore të pësojë një ngjarje madhore kardiake”-shtoi mjekja.

Kujtojmë se sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, nëse prej Covid kanë humbur jetën afro 3 persona në ditë, problemet e sëmundjet e zemrës i kanë marrë jetën afro 40 shqiptarëve në ditë.