“Po të isha më i fortë në besimin në Zot, s’do isha sot këtu” Lutjet pas hekurave në Shqipëri

 “Po të isha më i fortë në besimin në Zot, s’do isha sot këtu” Lutjet pas hekurave në Shqipëri

Në këtë ngrehinë të lartë, rrethuar me mure, tela e armë, jetojnë ata që janë privuar për shkak të fajeve e krimeve të tyre. Lirinë e kanë humbur, një prej elementeve që shumëkush e merr për të mirqenë dhe ia harron rëndësinë.

Por ndodh ndryshe këtu, në një vend ku liria është një ëndërr që nuk rrekesh ta kapësh me duar.

Këtu jemi në burgun e Fierit, ku qëndrojnë 750 të dënuar e të paraburgosur. Një vend për ata që kanë kryer vepra që ligji i njeh si krime, shkelje, faje, e gjetkë. Por edhe një vend pendese për shumë prej atyre që i kanë kryer krimet.

Dhe në të shumtën e rasteve pendesa gjendet në këtë korridor, atje ku ndodhen dy ambiente që për të paktën 320 të burgosur, janë një lehtësim për barrën e rëndë që mbajnë në mendje e zemër.

A2cnn ka vizituar këto ambiente dhe intervistuar disa prej të burgosurve që praktikojnë ritet fetare. Lutja për atë që i është privuar liria, është më shumë se një shpresë. Ata thonë se kanë gjetur një oaz të vetes së tyre, një moment pendese për atë që kanë kryer.

Me besimin në Zot shumë prej këtyre të burgosurve luten për një shans të dytë. Fatmirësisht besimtarët mes tyre konsiderohen miq, shokë, vëllezër.

Asnjë incident nuk është regjistruar mes të burgosurve, besimtarë të religjioneve të ndryshme.

“Ritet fetare të ndihmojnë, minimumi të bëjnë të kujtosh Zotin, Atij që ka krijuar gjithçka. Në situatën ku jemi, është një lehtësim për ne predikimi i fesë.”-tregon një i burgosur, i krishterë.

“Një besimtar i mirë, padyshim që çdo sfidë që i ndodh, ai gjen mbështetje aty. Besimi largon mundimet. Ne ndjejmë qetësi shpirtërore. Fundja ajo që ka ndodhur nuk kthehet, por siç thuhet në Kur’an, Ai i cili ua hedh sprovën, është po Ai që ua largon.”-thotë i burgosur, musliman.

“Është një ndihmë shumë e madhe për ne. Është një shpresë që të shtyn përpara për mirë, gjithmonë për mirë. Kjo kishë na ka ndihmuar, dalim nga izolimi ynë. 23 orë në ditë qëndrojmë dhe bëhet diçka më ndryshe. Çdo njeri gabon, dhe afër Kishës i kuptova ato që kam bërë. Çështja është që njeriu të mësojë e reflektojë nga veprat e tij të gabuara. Unë për vete për një fragment sekondi jam në burg. Mendoj se nëse do të isha më i fortë në besim në atë fragment, nuk do të isha këtu ku jam sot. Pavarësisht se ku jam, besoj se ky nuk është fundi, se do të bëj mirë.”-thotë një i burgosur, besimtar në Krisht.

“Unë jam i penduar për atë që kam bërë. Me ndihmën e Allahut, shpresoj të kthehem në rrugën e duhur. Unë nga përdorimi i alkoolit përfundova këtu. Shpresoj që Zoti të mi falë gabimet.”-tha një i burgosur, musliman.