“Po u sëmure? Duhet varkë ose të kalosh në mal” Jetesa e vështirë në fshatin e Kukësit

 “Po u sëmure? Duhet varkë ose të kalosh në mal” Jetesa e vështirë në fshatin e Kukësit

Stina e dimrit nuk është e mirëpritur këtu. Jo se nuk fal bukuri, por sepse e bën jetesën një sprovë të përditshme. Rritja e nivelit të kaskadës së Drinit nuk ka shkaktuar veçse probleme në zonën e Nënshkodrës, të cilën duket sikur jemi mësuar tashmë të shohim nën ujë thuajse  çdo vit.

Probleme të mëdha e vështirësi të jashtëzakonshme ka dhe për dhjetëra banorët që jetojnë në fshatin Breg- Lumë në Kukës. Për shkak dhe të rritjes së nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, ky fshat nuk ka më rrugë, pasi e merr uji. Banorët kësisoj detyrohen që të lëvizin në shtigje për të sjellë në shtëpi ushqimin apo një ditë pune të lodhshme.

 “E kemi vështirë, nuk kemi ku të shkojmë, prej 3-4 ditësh. Vallaj vështirë e kemi. Ushqimet për veten e bagëtinë në krah i marrim, s’kemi ku shkojmë”-thotë një banor i moshuar.

Kurse kur dikush është i sëmurë, problemi është serioz.

“Duhet të porosisim varkën, që të shkojmë nëse ka të sëmurë, ose duhet kalojmë nëpër mal”,tha një banore e zonës në prononcim për A2cnn.

Mbi 30 shtëpi këtu përballen me problemin e përmbytjeve, i cili shkakton dëme të mëdha në muret e banesave. Uji ndërkohë po ashtu mungon, ndërsa bregu i liqenit të Fierzës është mbushur me mbeturina, duke u bërë një problem shëndetësor për fëmijët që luajnë atje përditë thuajse.