Prej 5 vitesh në zbrazëtinë e heshtjes! Falë shqiptarëve, Rubini dëgjon dhe mëson të flasë

 Prej 5 vitesh në zbrazëtinë e heshtjes! Falë shqiptarëve, Rubini dëgjon dhe mëson të flasë

Rubini, Endisi dhe Sokoli. Tre fëmijë shqiptarë të cilëve pak kohë u kishte mbetur. Duhet të hynin menjëherë në operacion ose në të kundërt, kurrë nuk do të dëgjonin e flisnin. Të tre fëmijët kishin problem të lindur me dëgjimin.

Sot po iu përcjellim historinë e njërit prej tyre, Rubinit të vogël. Nëna e tij, Manushaqja, ishte e para grua që kërkoi ndihmën e shqiptarëve. Dy fëmijë i kishte humbur dhe djalin e madh e kishte të sëmurë. Puna që ajo bënte së bashku me të shoqin shkonin për të blerë ilaçet e djaliit. Ata kurrë nuk e prisnin që edhe Rubini, djali i vogël, të përballej me një sprovë kaq të madhe.

Të shumtë ishin ata që u prekën nga historia e saj e dhimbshme. Falë donatorëve, ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ i sollën një letër Manushaqes, letër të cilën ajo e mbushi në lot teksa e lexonte.

LETRA:

“Të dashur prindër të Rubinit, historia plot vuajtje dhe forca për të përballuar të gjitha dhimbjet që i kanë rënë familjes suaj na ka prekur jashtë mase. Humbja e dy fëmijëve të parë është e papërshkrueshme për dy prindër, por ju gjetët forcë që dy prej dhuratave të Krijuesit, fëmijët tuaj të parë, t’ia dorëzonit Zotit, duke qenë ende foshnje. Por kjo dhimbje nuk do të mbaronte këtu. Arditit i duhen ilaçe, plot një milionë lek në muaj. Gjithçka që ju fitoni nga puna i shpenzoni për ilaçet e tij. Të sprovuar nga fati, mes frikës ju sollët në jetë vajzën Klejdën, e cila fatmirësisht nuk ka asnjë problem. Rubini, djaloshi i ëmbël dhe i qeshur, erdhi tek ju si një fëmijë normal. Por edhe këtë herë fati nuk buzëqeshi as atij, dhe as juve. Manushaqe, tek ju pamë nënën heroinë, që nuk dorëzohet e që bën gjithçka, për fëmijët e saj. Nënën e fortë por që zemrën e ka të lënduar, sikur mos të mjaftonte i gjithë kalvari i vuajtjeve që kaluat, sot Rubini nuk dëgjon dhe nuk flet. Nuk i dëgjon dot fjalët e tua të ngrohta.

Por ai arrin të ndjejë dashurinë tuaj. Arrin të ndjejë zemrën tënde që rreh veç për të. Ai sot nuk e di dhe nuk e kupton që të gjithë shqiptarët sot janë çuar në këmbë. Kjo letër mban ndoshta, përgjigjën më të rëndësishme. Rubini ishte i pari, por bashkë me të ne morëm përsipër edhe dy bashkëmoshatarët e tij, Sokolin dhe Endisin. Kjo na i ka vështirësuar shumë punën. Shuma e operacionit ishte e madhe për të tre. Por ne nuk mund t’i ndanim. Ndoshta ndonjëherë dukemi edhe të këqinj nga pamundësia për t’i ndihmuar të gjithë dhe për këtë u kërkojmë shumë falje nevojtarëve. Por sot shqiptarët pasi panë lotët e nënave vendosën ti thonë PO operacionit të Rubinit. Ndaj le të nisemi pa humbur kohë drejt spitalit, sepse implanti koklear për djalin tuaj ka mbërritur bashkë me stafin e mjekëve nga Viena, për ti dhënë një shanc Rubinit. Për t’i dhënë atë që nuk e ka pasur kurrë dëgjimin!”

Rubini hyri në operim dhe gjithçka shkoi mirë sipas doktorëve. Pas disa javësh ai bëri provën e parë të dëgjimit dhe për herë të parë, nëna e babai panë djalin e tyre të reagonte ndaj zhurmës.

Por si është Rubini? Tashmë ai dëgjon dhe ka nisur të mësojë shqipen. Për më tepër ndiqni klipin