Prej ditësh në intubim, ndërron jetë artisti Guljelm Radoja

 Prej ditësh në intubim, ndërron jetë artisti Guljelm Radoja

Ka ndërruar jetë për shkak të Covid-19 aktori i njohur Guljelm Radoja.

Aktori qëndronte prej disa ditësh në intubim në repartin e spitalit Shefqet Ndroqi në Tiranë. Një muaj qëndroi 75 vjeçari në spitalin e Durrësit dhe me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore, u transferua në spitalin “Covid-2” në Tiranë.

Disa javë më parë, djali i tij Redi Radoja, tregonte se gjendja e të atit ishte mjaft e rënduar.

“Tani më kanë njoftuar që nuk është mirë. Ai i ka mushkëritë tepër të rënduara. Duhet t’i ketë pasur rëndë edhe para kovidit. Mbase kjo sëmundje po shfaq disa të fshehta të shëndetit të tij që nuk diheshin më parë. Prej dy javësh ai është në reanimacion. Tani presim që natyra të bëjë punën e vet. E kam takuar më tepër kemi shtrënguar duart nuk kam dashur ta lodh. Është e vështirë ta shohësh prindin në atë gjendje”, thoshte i biri i aktorit.

Guljelm Radoja lindi më 2 korrik të 1945 në Shkodër. Pas përfundimit të studimeve të larta për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.

Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij mund të përmenden rolet  në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja, është nderuar me titullin “Artist i Merituar”