Punonin bashkë në të njëjtin vend, dy shoqet mësojnë se janë motra biologjike

 Punonin bashkë në të njëjtin vend, dy shoqet mësojnë se janë motra biologjike

Të dyja ishin të adoptuara nga familje të ndryshme, por fati e desh që rrugët e tyre të kryqëzoheshin në të njëjtin vend pune.

Kjo është historia e Xhulia Tinetit dhe Kasandra Medisonit, dy vajza nga Konektikati i SHBA-ve. Dy vajzat në të 30-tat u njohën në vendin e punës dhe menjëherë u bënë shoqe të ngushta.

“Filluam të shoqëroheshim së bashku. Mes nesh kishte një kimi, një lidhje të ngrohtë”-tha për emisionin Good Morning America, njëra prej dy vajzave.

Shumë prej kolegëve të punës i vunë në dukje ngjashmëritë fizike, kësisoj dy shoqet e ngushta nisën të kërkojmë më shumë mbi të shkuarën e tyre. Fillimisht nisi si një ‘aventurë’, por shumë shpejt gjithçka do të ndryshonte.

Njëra prej vajzave (Kasandra) arriti të gjejë në Republikën Domenikane të atin biologjik. Ai i tha se Kasandra ka patur dhe një motër, e cila u dha për adoptim po ashtu.

 “Ishte ndoshta një nga situatat më emocionale që kam kaluar ndonjëherë.. Babai im biologjik erdhi e më përqafoi. Nuk më lëshonte dhe as unë nuk e lëshova”-tha Kasandra.

32 vjeçarja mësoi se kishte tre vëllezër dhe 5 motra. Familja kishte marrë vendimin për t’i adoptuar dy vajza, për shkak të varfërisë.

Me të mësuar këtë, Kasandra tashmë dyshonte seriozisht se shoqja e saj e ngushtë, mund të ishte diçka më shumë. Ajo arriti ta bindë Xhulian për të kryer një test ADN-je së bashku. Rezultatet zbuluan se të dyja ishin motra biologjike.