“Qaj cepave të spitalit, vajza po ikën” Si u bashkuan shqiptarët për të bërë mrekulli brenda 24 orëve

 “Qaj cepave të spitalit, vajza po ikën” Si u bashkuan shqiptarët për të bërë mrekulli brenda 24 orëve

E presin në shtëpi dy vëllezërit e saj. Nëna e babi e çojnë ditën në spital, me shpresën se më pak dhimbje do të ketë e bija, se sot vuajtjet do ta lënë të qetë.

Eneida vuan nga aneurizma në tru, një sëmundje e rrallë që i rrezikon jetën. Një sëmundje e cila nëse nuk kurohet, mund t’a marrë Nedën. Dhimbjet e saj janë të mëdha dhe të panumërta. Vetëm qetësuesit ia pushojnë sadopak lëngimin në spitalin e Tiranës.

Nëna e Eneidës, Trëndafilja, qëndron në një stol aty. Qan jo vetëm për fatkeqësinë që i ka ‘mbështjellë’ të bijën, por edhe për pamundësinë për t’ja larguar këtë sëmundje Eneidës.

‘Shqiptarët për Shqiptarët’ ndoqi rrëfimin e familjes Shehi. Fjalët e Shpëtimit e Trëndafiles janë të rënda. Derdhin lotë për të bijën e sëmurë, Eneidën 10 vjeçe.

Trëndafilja: 10 ditë kam që qaj nëpër cepat e spitalit. U bë disa ditë që ulëret në spital nga dhimbjet. Ka kriza të tmerrshme. Po e mbajmë nën qetusuesa. Është shumë e padurueshme dhimbja… llogarite të hajë mishin e vet me dhëmbë fëmija prej dhimbjeve.

Babai i Eneidës, Shpëtimi, na thotë se e ka tejet të vështirë ta përballojë dhimbjen, kur sheh të bijën duke vuajtur.  Sa e vështirë mund të jetë për dy prindër, të shohin vajzën duke vuajtur? Ja këtë dhimbje provon kjo familje.

30 mijë euro kushtojnë operimet që duhet të kryejë Eneida, një shumë që familja nuk e përballon dot. Shpirti nuk shitet në para, pavarësisht se Trëndafilja e Shpëtimi do ta shisnin atë për Eneidën.

Shpëtimi: Kur e shoh vajzën ashtu iki e zbres nga dhoma e spitalit… nuk e shoh dot vajzën ashtu. Me atë shumë parash (30 mijë euro) që na kanë kërkuar, unë nuk e përballoj dot. Një ndihmë, të veni dorën në zemër, të mos ikë vajza.

Në shtëpinë e tyre presin dy vëllezërit. Armando, 14 vjeçar, na thotë se banesa duket krejt bosh. I mungon Eneida.

Vëllai i Eneidës: Jam armando, 14 vjeç. Eneiden e kam motër. Shtëpia duket bosh pa Eneidën. Ndihme shumë keq kur e shoh motrën në atë gjendje. Sikur të isha unë në vend të Nedës, t’i përballoja unë ato dhimbje e jo motra.

Gjyshja e Eneidës kujton me lot kohët para se mbesa t’i sëmurej.

Gjyshja: Jam gjyshja e Eneidës. Fillimisht na tha që ka marrje mendsh. E vizituam dhe na thanë që ka grykët. I dhamë ilaçe por asgjë. Më pas shkuam sërish dhe na thanë që ka ftohje muskulare pasi i bënë një grafi. Sërish me ilaçe Eneida, derisa e çuam në spital ku na thanë se është e sëmurë me mpiksje gjaku në tru.

O nënë kam shumë dhimbje më thoshte. E gënjënim që ka pak problem tek qafa, por Neda më thotë aman më bëni derman të shërohem.

Mjeku na thotë se ndërhyrja është mjaft komplekse dhe se të tilla raste janë mjaft të rralla.

Mjeku: Aneurizëm disekante që ndodh tek fëmijët. Është e rrallë, shumë e rrallë. Kjo është një pjesë e aneurizmës që është një nga arterieret që është kryesore në trurin e vogël. Nga ana mjekësore është një rrezik për jetën, veçanërisht këto lloje aneurizmash që zhvillohen tek fëmijët.

Trëndafilen shpesh e pushton mendimi i hidhur, më i hidhuri për një nënë.

“Edhe kështu vajza nuk e ka të gjatë. Nga krizat që ka, nga çasti në çast mund t’i plasë arteria e gjakut e aq do të jetë. Se të më ikë vajza ç’e dua jetën.”-thotë nëna.

Shqiptarët për shqiptarët i janë gjendur pranë familjes. Qindra dhuruan për Eneidën dhe shuma e nevojshme për operimet u mblodh brenda 24 orëve. Sidrit Bejleri shkoi ta vizitojë vogëlushen dhe prindërit. Koha nuk pret më dhe Eneida duhet të shkojë në sallën e operimit.

Neda hyn në operim. Dera mbyllet dhe jashtë saj, dridhen në lot Trëndafilja e Shpëtimi. Dhe më në fund një ditë gëzimi. Një lumturi e pritur aq shumë.

Për më tepër ndiqni videon: