Qendra Kulturore Islamike Shqiptare në New York hap dyert për vaksinimin e komunitetit

 Qendra Kulturore Islamike Shqiptare në New York hap dyert për vaksinimin e komunitetit

Autoritetet vendore në New York (SHBA) kanë radhitur ndër vendet ku do të kryhet vaksinimi i komunitetit edhe Qendrën Kulturore Islamike Shqiptare, e cila do të hapë dyert për qytetarët që presin të vaksinohen ndaj Covid atje.

Lajmin e ka përcjellë në rrjetin social vetë qendra, ndërsa procesi i vaksinimit do të nisë më datë 8 prill.

https://www.silive.com/coronavirus/2021/04/pop-up-vaccination-site-coming-to-staten-island.html

Posted by Albanian Islamic Cultural Center on Sunday, 4 April 2021

Sipas njoftimit të zyrës së guvernatorit Andrew Cuomo, qendrat e vaksinimit do të hapen të enjten ndërsa “Albanian Islamic Cultural Center” në Staten Island do të shërbejë për komunitetin shqiptar që po pret të vaksinohet, pasi i plotëson të gjitha kushtet për kryerjen e këtij procesi.

“Ne po vazhdojmë të vendosim faqet pop-up të bazuara në komunitet në të gjithë shtetin tonë sepse mbetemi të përkushtuar për t’u siguruar që vaksina është e arritshme për të gjithë banorët e New York-ut.

Bashkëpunimi ynë me udhëheqësit dhe organizatat lokale është prova se sa të rëndësishëm janë këta zëra në komunitetet e tyre përkatëse dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me ta derisa çdo njujorkez të ketë qasje në vaksinë, “-tha guvernatori Cuomo.

Në New York shumë qendra kulturore si dhe hapësirat e godinave fetare janë vënë në shërbim të komunitetit për kryerjen e vaksinave anti-Covid.

Në SHBA numri i të prekurve me Covid e vdekjeve për shkak të virusit vijon të mbetet i lartë. Ditën e djeshme në media u raportua për 76.594 raste të reja infektimi dhe 530 jetë të humbura.

SHBA-të mbajnë vendin e parë në glob për numrin e jetëve të humbura, ndërsa New York mbetet një ndër vendet më të goditura nga koronavirusi.