“Qëndrojini afër fëmijëve” Rrëfimi i një babai për dy djemtë e varur nga hashashi

 “Qëndrojini afër fëmijëve” Rrëfimi i një babai për dy djemtë e varur nga hashashi

“Sot është e vështirë ta kuptosh botën e tyre, qëndrojini fëmijëve afër, bëhuni miq me ta”

Këto janë disa nga fjalët e një babai, që tregoi historinë e dy djemve të tij të rinj. Ata vuajnë nga pasojat e konsumit të hashashit, një fenomen gjerësisht i përhapur në Shqipëri mes moshave të reja.

Në një prononcim për Top Channel, babai tregon se djemtë e tij janë të moshave 22 dhe 19 vjeç. Hashashin kanë nisur ta konsumojnë në shkollë të mesme dhe tanimë vuajnë pasojat që u ka lënë kjo drogë. Burri tregon se pas dy tre vjetësh konsum të drogës, njëri prej djemve ka përfunduar duke marrë ilaçe antidepresivë.

Më poshtë intervista:

Ju keni fëmijën, që është i varur?

Po, po,ka qenë përdorues, nuk e dinim. Ka qenë për 2-3 vjet. Tani po mjekohet me ilaçe, antidepresivë. Është e gjithë shoqëria sot, me këto pakënaqësi nga jeta.

Kur e kuptuat që djali e përdorte?

Kur e tha vetë. Kishte shqetësime dhe u shpreh vetë.

Po ku i gjente paratë?

Punonte vetë. Tani është drejt përmirësimit, po ç’e do, po e vuan, edhe vetë, edhe ne.

Po djali tjetër?

Djali tjetër më ndryshe është. Ishte përdorues,por nuk pati pasoja. Thonë që nuk na gjen gjë.

Të gjithë e pinë. Mërziten duke parë tjetrin, ata që janë të kamur e të pasur. Duan të bëhen të pasur brenda ditës, por nuk e kuptojnë dot se pasuria nuk bëhet brenda ditës.

Çfarë do ju thoshe prindërve të tjerë?

T’i qëndrojnë më afër, shumë më afër fëmijëve. T’i bëhen shok, sepse është shumë e vështirë ta kuptosh botën e tyre sot.