“Qoshet shikoni, atje rrinë ata” Një fenomen që po shqetëson familjet shqiptare

 “Qoshet shikoni, atje rrinë ata”  Një fenomen që po shqetëson familjet shqiptare

Fenomeni i konsumit të lëndëve narkotike ka prekur dhe moshat fare të reja në Shqipëri. Fatkeqësisht, gjen të mitur që kanë përdorur ose janë kthyer në përdorues të lëndëve si hashashi apo marijuana.

Perceptimi i qytetarëve por edhe shifrat zyrtare flasin për një rritje të fëmijëve që përdorin këto lëndë narkotike, një plagë që ka prekur thuajse të gjithë globin.

“Shumë keq është gjendja, nuk e dimë si i bëhet. Fëmijët i ruajmë, ja siç e shikon vetë e sjell dhe po vetë e marr nga shkolla. Kam merak të madh”-thotë një grua në Tiranë, teksa çon vajzën në shkollë.

Të miturit vetë thonë se ata që rreken në tymosjen e një cigareje hashashi, shpesh imitojnë të rriturit që shohin. E vërteta është se fatkeqësisht modele të tilla gjen në shoqërinë shqiptare dhe kudo në botë.

“Imitojnë të rriturit, duan të duken si ata, por nuk e dinë se është e dëmshme dhe nuk shkëputesh dot më pas, është ves shumë i keq. Në familje nuk më flasin shumë, pasi e dinë që nuk përzihem me këto gjëra, u qëndroj larg.”-thotë një nxënës i mitur, në prononcim për Top Channel.

Ndonjëherë kurioziteti apo presioni social mes vetë fëmijëve, bën që këta të fundit të tymosin një cigare. Kushdo është bërë dëshmitar i këtyre rasteve, ku shpesh të mitur apo të rinjtë, i gjen në grupe të vogla nëpër qoshet e pallateve apo lagjeve.

 “Kam parë 15-16 vjeçarë që pinë cigare. Jo këtu në shkollë, por në lagjen time.”-tha një nxënës i mitur.

“Ne në shkollë kemi bërë orë edukuese për drogën dhe efektet tek njeriu, veçanërisht në moshat e reja siç jemi ne.”-thotë një i mitur tjetër.

“Qoshet shikoni ju, atje rrinë ata, atje i gjeni.”-thotë një grua në moshë.