“Robinson Kruzoja” që jeton i vetëm prej 15 vitesh në ishullin e vogël të Shqipërisë

 “Robinson Kruzoja” që jeton i vetëm prej 15 vitesh në ishullin e vogël të Shqipërisë

Fotoja e mësipërme tregon ishullin Tongo, një ndër ishujt më fundore të territorit të Shqipërisë. Ishulli me një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh ndodhet fare pranë kufirit me Greqinë. Prej 15 vitesh në këtë ishull jeton Përparimi. Vite më parë burri me origjinë nga Gjirokastra mbërriti në këto zona për punë e peshkim… që nga ajo kohë, nuk e ka braktisur ishullin dhe është i vetmi banor në Tongo.

Përparimi dha një prononcim të shkurtër për median, duke treguar se në tokë nuk e pret kush dhe se puna me peshkimin e kultivimin e disa perimeve, e mbajnë në ishull.

“Merrem me peshk, mbjell disa zarzavate. Rroj, jetoj me një fjalë. Familjarët më kanë vdekur, me nusen jam ndarë. Ishalla më dëgjon, uroj të jetë mirë”

Larg njerëzve, por edhe larg asaj se çfarë ndodh jashtë ishullit Tongo, Përparimi nuk ka as televizor. Shoqëri i bëjnë disa qen që i ka në ishull.

“Lëviz rrallë. Kemi një aktivitet, kam nja dy vaska me midhje, por nuk i lë dot vetëm, sepse tek ne nuk është kultura, që të mund të lësh gjërat vetëm se nuk i prek njeri.

Televizor nuk kam. Këtu ka pak. As ujë për të pirë nuk gjen. Nuk ra pak shi, të kisha mbledhur shiun. Kam një panel të vogël e karikoj telefonin. Presim të bëhet më mirë. Nuk jam si tarzani që jetonte në xhungël, por si Robinson Kruzoja në ishull. Të isha si tarzan do ishte mirë se do të haja ndonjë banane”-thotë me të qeshur Përparimi.