Rrëfimi i 38 vjeçares së dhunuar nga i shoqi: Më thoshte ngjitu lart në pallat dhe jepi fund, hidhu!

 Rrëfimi i 38 vjeçares së dhunuar nga i shoqi: Më thoshte ngjitu lart në pallat dhe jepi fund, hidhu!

Dhuna ndaj gruas është një prej plagëve më të mëdha në Shqipëri, një fenomen që nuk duket se ka të ndalur në shoqërinë tonë.

Duke filluar nga mentaliteti patriarkal deri tek konsiderimi i gruas si një objekt që mund të ‘tregtohet’, më poshtë ju sjellim një rrëfim të dhimbshëm të një 38 vjeçareje të dhënë sot në median shqiptare, me qëllimin që të tilla raste të krijojnë një ndjenjë sensibilizimi në përkrahje të grave në Shqipëri.

Gruaja në fjalë është 38 vjeçe dhe me origjinë vjen nga Fieri. U fejua dhe u martua me mblesëri që 16 vjeç, pavarësisht se të shoqin e kishte parë vetëm dy herë në dy vite. Ky i fundit punonte si emigrant. Kur gruaja mbeti shtatzanë e lindi djalin, i shoqi e mori në Greqi. Atje nis dhe dhuna psikologjike e fizike.

“Nuk e donte djalin… E merrte dhe e përplaste në krevat sikur të ishte ndonjë send. Më thoshte mua ik hip në katin e pestë dhe hidhu nga andej sepse nuk të dua më. Unë i thashë aty ku më ke marrë aty do më çosh.”-tha gruaja në një intervistë për emisionin ‘Historia ime’.

Më tutje gruaja tregon se i shoqi kishte marrë në telefon prindërit e saj, për t’i kërkuar që të merrnin vajzën sepse ai “nuk e donte më”. Për 5 vitet e ardhshme, 38 vjeçarja jetoi me prindërit, derisa sërish e martuan me mblesëri.

38-vjeçarja: As unë nuk e kuptova se çfarë nuk shkonte tek ai person. Kur ishte djali 8 muajsh erdhëm në Shqipëri, ka marrë prindërit e mi në telefon dhe i ka thënë hajde merreni vajzën tuaj sepse nuk e dua më. Mora djalin dhe jetova tek shtëpia e prindërve për 5 vite. Pas 5 viteve më martuan me detyrim, i thoja nuk dua se kam djalin, dhe më thanë që s’të mbajmë dot ne, s’të mban kunata.

Në martesën e dytë, 38 vjeçarja sjell në jetë një tjetër djalë, i cili sot është 8 vjeç. Por edhe kësaj here, për fatin e keq të saj, i shoqi ishte person i alkolizuar. Martesa e tyre nuk zgjati, derisa 38 vjeçarja u divorcua dhe sot jeton e vetme me dy djemtë e saj në Kashar të Tiranës.

Pjesë nga intervista:

Si ishte martesa e dytë?

38-vjeçarja: Shumë keq, u përsërit historia e parë. Ai ishte i alkoolizuar, luante bixhoz, fëmijët i linte pa ushqim, më thoshte do të ta nxij jetën më keq sesa ta kam nxirë.  

Erdhi në jetë dhe një fëmijë, djali i dytë?

38-vjeçarja: Po.

Si sillej me djalin tënd të madh?

38-vjeçarja: Shumë keq, i bërtiste, i shante, i qëllonte. Edhe me mua ushtronte dhunë fizike, psikologjike, shante, ofendonte. Punoja dhe lekët që merrja, i merrte ai dhe i luante bixhoz.

 Sa vjet zgjati martesa jote e dytë?

38-vjeçarja: 7 vjet. Durova për shkak të mentalitetit dhe opinionit, këtu më shumë të vrasin fjalët. Prindërit më thoshin lëre atë dhe djalin e vogël dhe t’i shkoja në shtëpi vetëm me djalin e madh.

 Cili është momenti më i errët që mban mend?

38-vjeçarja: Nuk duroja dot për fëmijët, veten time nuk e llogarisja fare, nuk më bënin përshtypje vuajtjet. Kam fjetur jashtë, kam fjetur dhe pa ngrënë por vetëm tek fëmijët nuk duroja dot më. I linte fëmijët pa ngrënë, pa ushqim dhe e shikoja që nuk po kthente ai person. Pas divorcit vajta tek prindërit, ata nuk më mbajtën, shkova në Fier punova në një byrektore me 150 mijë lekë, shtëpia ishte 100 mijë lekë dhe nuk e përballoja dot dhe kam ardhur të jetoj këtu.