Rrëfimi i mësuesit në Shkup, bën orë shtesë për t’u mësuar nxënësve këngë shqipe

 Rrëfimi i mësuesit në Shkup, bën orë shtesë për t’u mësuar nxënësve këngë shqipe

Në shkollë mundohet të bëjë më shumë për nxënësit e tij, që t’i mësojë këngë shqipe. Pavarësisht teksteve shkollore që mësohen në Shkup të Maqedonisë për Shqipërinë e shqiptarët, mësues Osmani thotë se nxënësit duhet të dinë më shumë. Ky mësues bën ore shtesë me nxënësit, që t’i mësojë diçka më shumë për kulturën shqiptare.

Videot e tij janë bërë virale në rrjetin social. Mësues Osmani ka treguar se çfarë e shtyn që të marrë nga koha e tij për t’u mësuar në orë shtesë nxënësve, këngë shqipe.

“Është sfiduese, ne po mundohemi që t’i kalisim gjeneratat e reja me frymë kombëtare. Unë jam edukuar nga prind mësimdhënës dhe i dimë peripecitë që ne kemi kaluar.

Nxënësit janë gjithmonë në gatishmëri për diçka të mirë, e kur është puna për artin ata janë në rresht të parë. Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, bën që gjenerata do të harrojë historinë e vendit. Pa njohur veten nuk mund të njohim kultura të tjera”-tha mësuesi.

Mësuesi thotë se për orvatjen e tij ka pasur ndihmë dhe nga një kolege në Shqipëri.

 “Kam një kolege andej kufirit, është nga Korça, kemi bashkuar kokat në këtë rrugëtim. Është e jashtëzakonshme kur shikon se diçka e jotja po bëhet virale. Video për këngën e Luigj Gurakuqin është bërë në prova dhe nga entuziasti i realizimit të asaj kënge, e publikova në rrjetet sociale. Pas publikimit kam rënë në gjumë dhe kur u zgjova pashë se ishte masakruar celulari prej mesazheve. Në videot e tjera apo ajo e para, ka komente shumë të mira. Disa i lexoj, por jo të gjithë, por jam shumë falënderues për gjithë ata që i kanë shpërndarë dhe komentuar”, përfundoi mësues në një prononcim për emisionin ‘Shqipëria Live’