Rrëfimi i një babai: Kërkova të shes tokën e veshkën… mos o Zot, si ta durosh vdekjen e vajzës

 Rrëfimi i një babai: Kërkova të shes tokën e veshkën… mos o Zot, si ta durosh vdekjen e vajzës

E çon ditën duke menduar për një formë sesi ta shpëtojë të bijën. Jeta e saj ka qenë mjerim dhe çdo ditë për këtë baba, është një thikë në shpirt. Sheh vajzën të shtrirë. Skolioza i ka prekur rëndë trupin. Dhimbjet janë të panumërta dhe sa e vështirë është për këtë burrë t’i mbajë në sy vuajtjet e të bijës.

Babai duke masazhuar te bijen

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” udhëtoi në fshatin Stravaj në Përrenjas, atje ku jeton Ketiana. Në shtëpi na presin prindërit, një nënë e baba të përvuajtur.

Shpëtimi na tregon se sëmundja i ka nisur Ketianës kur ishte fëmijë.

Babai: Në 2008 iu shfaq sëmundja. Shoqet e tallnin, turp i vinte, e vogël ishte. E çuam në spital për t’i bërë një protezë. Këtu doktorë nuk kishte dhe e çuam në Maqedoni, por as atje nuk na e morën përsipër.

Skolioza qe po i rrezikon jeten

Shpëtimi kujton momentet kur doktori e mori veçmas dhe ia tha hapur.  Ketiana duhej të operohej, përndryshe jeta e saj do të mbaronte.

Babai i Ketianës: Ka vajtur atje ku nuk mban më. Doktori më tha mua në fund pas analizave. Më mori nga prapa dhe më tha ‘Shpëtim, çupën duhet ta bësh operim sa më parë se rrezikon jetën”. Mu shemb tërë vendi, nuk di çfarë të them.

Lotët e këtij burri kanë larë sytë, fytyrën, shtëpinë e tokën ku jeton… por sërish nuk janë të mjaftueshëm për të bërë operimin e të bijës. Po sikur vajza të ikë nga kjo botë?!

Babai: Fëmija më dhimbset, po iku… mos o Zot, nuk e duroj dot, do iki direkt prapa. Një asistencë marrim, 50 mijë lekë. Unë e gruaja pa punë. Kam kërkuar, por nuk na kanë… operimi kushton 22 mijë euro. Kërkojmë ndihmë, po ku t’I gjej. Kërkova për kredi, po nuk kam ku ta laj. Kam kërkuar të shes shtëpinë e tokën, po kush po blen tokë këtu në këtë fshat të largët. Ore të heq veshkën, deri atje kam menduar…

Vetëm një lutje ka për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”

“I lutem shqiptarëve kudo që ndodhen, I lutem emisionit, të na ndihmojmë t’i shpëtojmë jetën vajzës, të shoh dhe unë një ditë të bardhë.”