Rrëfimi i një jetimi: Mamin e mori sëmundja, kam një gropë në zemër që s’mbushet kurrë

 Rrëfimi i një jetimi: Mamin e mori sëmundja, kam një gropë në zemër që s’mbushet kurrë

Dy herë në ditë për të luajtur del, por më shumë rri duke kujtuar. Sheh në zbrazëti. Kujton nënën, gjënë më të shtrenjtë, që sot nuk e ka më pranë.

14 vjeç është Marigleni dhe jeton në Gramsh.  As babain nuk e ka. Jo se ai ka ndërruar jetë, por sepse martesa me të ëmën përfundoi vite më parë, kur ai ishte ende i vogël. Marigleni na thotë se i ati e godiste të shoqen.

14 vjeçari ka shumë pak kohë që e ka humbur të ëmën dhe rrëfimi i tij bëhet edhe më i dhimbshëm. Të rënda i duken fjalët Mariglenit, por sërish i thotë. Fundja po flet për nënën, më të shtrenjtën.

Marigleni: Jetoj në një shtëpi me qira në qytetin e Gramshit. Kur kam qenë i vogël, mamaja është ndarë nga babai. Mamaja më ka rritur me shumë mundime dhe këto kohë, ajo u nda nga jeta prej leuçemisë. Edhe dita me diell më duket si ditë e errët pa atë. Më rriti me shumë mundime.

Babai im e la qëkur ajo më lindi… me raste e dhunonte.

Ka dashur që të më edukonte njëlloj si gjithë të tjerët, pavarësisht vështirësive, pavarësisht se nuk e kisha babain. Punonte kamariere, më mbante mua, nënën, mbante qiranë e shtëpisë. Nuk mi thoshte mua se s’donte të më mëziste. Më thoshte gjithmonë do ja dalim. Unë mendoja se gjërat po rrogulloheshin por për mamanë time… (qan) unë i bëja punët e shtëpisë se vinte e lodhur nga puna, ia hiqja këtë barrë. Sëmundja iu shfaq dy muaj më parë. Ajo e neglizhonte. I thoja a ke ndonjë problem, por nuk më thoshte.

I mbushen sytë dhe kujton përballjen e parë me sëmundjen e të ëmës.

Marigleni: Një ditë pashë që në krah kishte dy të nxira. Nuk më tregoi çfarë janë, por më pas ato të nxira shtoheshin ditë për ditë. Kur vajti në pikë të fundit u nis në Tiranë, por nuk u kthye më… (qan)

Qëndroi për 13 dhe ditën e 13 ndërroi jetë. Unë e mora vesh kur e sollën në shtëpi. Më thanë që në atë spital, pacientët e sëmurë do të lëviznin për të shtruarit me virus. I gëzuar se mbase do më vinte mamaja, por ajo erdhi me arkivol.

Është si një gropë që nuk mbushet kurrë. Nuk di ta shpjegoj se çfarë ndiej.

Marigleni jeton i vetëm me gjyshen tashmë. Pa asnjë mbështetje, pa asnjë ndihmë. Vetëm me një të moshuar dhe me kujtime të hidhura. Gjyshja e tij, 82 vjeçare është e veshur në të zeza. Derisa të largohet nga kjo botë, në trup do t’i mbajë. Lotët i rrjedhin ende. I ka ikur e bija.

Gjyshja: Në moshën 82 vjeçare. Hallet që më kanë gjetur… më iku goca. Aq e vështirë është për mua sa… në ëndërr e shoh. Shtëpia më duket sterr e gjitha. Ajo punonte, ne hanim një kafshatë bukë.

Thirrja e vetme e Mariglenit ishte një lutje për ndihmë që të mund të ushqehet ai dhe gjyshja. Të mos mbeten rrugëve.

Dhe thirrja u dëgjua nga shqiptarët.Elvis Naçi e Fatma nisen drejt Gramshit për të takuar Mariglenin. Të parat fjalë që Elvisi i thotë Mariglenit janë :

“Ke parë shumë vështirësi dhe je rrit më shumë sesa e ke moshën. Djalin e madh kemi në moshën tënde por që kurrë nuk i ka parë hallet që ke parë ti. Tani të kemi çunin tonë. Nuk t’i kompesojmë dot të gjitha, por ama, gjyshen e ke mirë dhe tani le të ikim të shohim diçka”.

Për më tepër ndiqni videon e mëposhtme: