Rrëfimi rrëqethës i gjyshes: Ta di se vdes e nuk i çoj fëmijët në jetimore, janë amaneti i vajzës”

 Rrëfimi rrëqethës i gjyshes: Ta di se vdes e nuk i çoj fëmijët në jetimore, janë amaneti i vajzës”

Fabiani është 10 vjeç dhe në vend të mendjes e gjejmë duke ushtruar krahët. Po ngre kovat me ujë nga pusi. Kurrsesi nuk mund ta lërë të vëllanë 8 vjeçar ta bëjë këtë punë. E ëma i ka lënë një amanet, që të kujdeset për Nelin.

Shqiptarët për Shqiptarët shkoi larg kësaj here, në një fshat të thellë në Tepelenë. Kjo është banesa ku qëndrojnë këta dy të mitur, ndërsa brenda na pret nënë Fetnia. 70 vjeçarja nuk ka më se kë të prezantojë, dhëndrrin ia mori sëmundja e rëndë në mushkëri vite më parë, kurse gushtin e vitit të kaluar, i iku vajza e vetme… vetëm 34 vjeçe ishte.

Gjyshe Fetnia: Babai i tyre ka vdekur… iu qep sëmundja e keqe në mushkëri. Ka vuajtur në spital atje në Tiranë, nuk shpëtoi dot. Vajzën e kisha me diabet dhe me tension. U sëmur keq. E ndjej që do të iki më tha… më tha ‘ç’qe ky fati im o mama, do t’i lë fëmijët rrugëve edhe unë katrania’… (qan)

E çuam në Gjirokastër, në Tiranë… nga Tirana erdhi e vdekur. 34 vjeçe, vajza e vetme. Atë nuk më del nga mendja se të vete atje (në botën e përtejme). Më bëhet si zë, më thotë o mami… shikoj këtej andej, por nuk shoh asgjë. Më bëhet zë që më flet vajza. Nuk e di se çfarë të bëj se më ka lënë dy djem, shpirti im e di.

Një dhomë ka në këtë ngrehinë ku jetojnë jetimët me gjyshen, veçse brenda dhomës nuk ka asgjë. Familja Çela është ekstremisht e varfër. I vetmi ‘vizitor’ i përditshëm është i ftohti.

Fabiani: Jeta ime është shumë e vështirë. Tavani është çarë, tullat lart janë thyer. Dera është prishur dhe i gjithë i ftohti hyn brenda. Çfarë bie jashtë, bie dhe brenda.

Vëllai fle aty me nënën, kurse unë flë këtu. Ketu është bërë keq, krevati është gropa gropa. Lahemi këtu në një govatë.

Neli: Këto rroba kam. Me këto rri dhe me këto shkoj në shkollë.

Nënë Fetnia: Kur bie shi e mbaj fshesën në dorë që të nxjerr ujin përjashta. Kur është ftohtë nuk i laj dot rrobat, por pres që uji të ngrohet në kazan. I laj në darkë se lavatriçe nuk kam. Dhe frigoriferin që ma dha vëllai, m’u prish.

Fëmijët e kanë të vështirë të shkojnë në shkollë… te ajo ura, ku në dimër të bëhen këmbët gjak e rrëshket prej ngricave.

Pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme, dy vëllezërit mundohen të mësojnë. Koha ndonjëherë nuk u mjafton, duhet të ngjiten për të gjetur drru për t’u ngrohur.

Fabiani: Nëna është 70 vjeçe e nuk na mban dot neve. Ja detyrat ulem këtu e i bëj. Ndonjëherë i bëj e ndonjëherë jo se duhet të shkoj të marr drru atje lart tek pemët e ullinjve. Drunjtë i lidh me litar kur gjej, kur s’kam i tërheq zvarrë.

Trupi i është lodhur nënë Fetnies, por sërish dashuria për nipërit e mban në këmbë. Në shumë raste nuk ka për t’i dhënë asgjë veçse bukës së thatë. E kur u jep ushqim nipërve, më tutje shkon afër fotos së të bijës. Qan dhe kujton amanetin që i ka lënë vajza për djemtë.

Nënë Fetnia: Me ato 96 mijë lekë që marrim o bir, shpirti im e di… me ujë e kam mbajtur veten e fëmijëve bukën e thatë. Nuk kemi. (qan) nuk durohet t’i japësh fëmijëve një kore buke, por s’kam çfarë të bëj.

Vështirë është, por do t’i rris fëmijët. Nuk i lë. Tek shtëpia e fëmijës nuk i çoj (qan), le të vdes për vete, ta di të vdes nuk i çoj fëmijët atje, i kam amanetin e vajzës.

Djemtë shkojnë atje tek e ëma (në varr). Qajnë atje e vijnë. Nënë e zezë, që mos qofsha, më iku vajza 34 vjeçe.

Fabiani: Nga mami kam një kujtim. Më thoshte kujdesu për vëllain.

70 vjeçarja ka vetëm një lutje:

“Për shpirtin e atyre fëmijëve që më kanë ikur… Elvis Naçit i kërkoj ndihmë, të më japi shtëpi për fëmijët e të m’i lidhi një pension. Një shtëpi doja për fëmijët në Tepelenë që të jenë pranë shkollës.”