Sa e brishtë është jeta në Tokë! Një simulim (i dështuar) i NASA-s

 Sa e brishtë është jeta në Tokë! Një simulim (i dështuar) i NASA-s

Muajin që lamë pas disa ekspertë të NASA-s dhe të tjera agjenci hapësinore në glob u përballën me një skenar të frikshëm: Një asteroid u zbulua 35 milionë milje larg dhe po i drejtohet tokës. Koha e parashikuar e impaktit mes asteroidit e tokës është 6 muaj.

Skenari ishte hipotetik (fatmirësisht) dha u krye në kushtet e simulimit. Çfarë do të ndodhë nëse bota përballet me një rrezik të tillë?!

2013, Rusi/ Nje asteroid i madh sa nje shtepi, duke hyre ne atmosferen e Tokes (Photo AP)

Për t’i rënë në të, rezultati ishte zhgënjyes: Ne nuk jemi të aftë dhe s’mund të bëjmë dot gjë për të parandaluar përplasjen e asteroidit në tokë.

Sipas ekspertëve që kryen simulimin, nuk ka teknologji në tokë të aftë për të shkatërruar, “shtyrë” apo ndryshuar trajektoren e një asteroidi që nesër… mund të vijë në ‘dyert’ tona.

Paul Chodas, drejtues i qendrës për studimin e trupave qiellorë pranë tokës në NASA, ishte personi që bëri të mundur krijimin e simulimit. Ai tha se simulimi dështoi.

“Ky skenar që simuluam është ai që quajmë një ‘skenar afat-shkurtër’ dhe për nga formati i dizenjimit, shumë i vështirë për t’u realizuar”-tha ai për Bussines Insider.

Dhe në fakt e vërteta është se nëse një asteroid gjigand vjen drejt Tokës, shkencëtarëve do t’ duhen vite (dhe jo muaj) për të gjetur një mënyrë për shpëtuar njerëzimin.

Sipas Paul Chodas, do duhen minimum 5 vite dhe deri një dekadë. Pra thënë në fjalë të tjera, nëse një ditë do të vijë një asteroid drejt nesh, do duhet ta dimë “rrugëtimin” e tij 5 deri në 10 vite para se të vijë në Tokë.

Por ka dhe një tjetër problem. Shkencëtarët e kanë të pamundur (deri më tani) që të mund të identifikojnë të gjithë “gurët” në hapësirën pranë nesh.

Pikërisht për këtë çështje, në vitin 2005 Kongresi amerikan u mundua ta adresojë këtë problem duke i kërkuar NASA-s që të identifikojë e ndjekë 90% të objekteve që orbitojnë (ose mund të orbitojnë) pranë Tokës dhe janë nga 140 metra e sipër.

Por pse 140 metra madhësi?

Kjo sepse një gur që është 140 metra (nga njëri cep në tjetrin), mund të shkatërrojë brenda sekondit një qytet në madhësinë e New York-ut.

E deri më tani, NASA ka mundur të identifikojë vetëm 40% të objekteve të tilla që mund të orbitojnë pranë Tokës.

“Kjo do të thotë se deri më sot, ne po mbështetemi tek fati që të na mbajë të sigurt nga një impakt asteroidi… por fati, nuk është të planifikosh”-thotë për Insider, Richard Binzel, astronom.

SIMULIMI

Sipas Insider, ekspertëve të NASA-s dhe shkencëtarëve të agjencive të tjera iu dha një kohë e caktuar për të gjetur një mënyrë për të shpëtuar tokën nga një asteroid hipotetik. Në simulim, shkencëtarët e mësuan sesa i madh ishte trupi qiellor vetë një javë përpara se të godiste tokën.

“Nuk e dinim nëse objekti do të ishte 35 metra apo 500 metra. Dhe kjo bën një diferencë të madhe”-tha Sarah Sonnett, studiuese në Institutin e Shkencës Planetare dhe pjesëmarrëse në simulim.

Dhe diferenca mes një asteroidi 35 metra dhe atij me madhësi 500 metra (nga njëri cep në tjetrin) është se i pari mund të shpërthejë në hapësirë, ndërsa i dyti mund të shkatërrojë një qytet dhe të dërrmojë një hapësirë të madhe sa shteti i Francës.

NASA kishte tre ‘vegla’ kryesore për të mbrojtur planetin. E para shpërthimi i eksplozivëve në asteroid, për ta copëtuar atë dhe bërë më pak të rrezikshëm. I dyti bombardimi me lazer i objektit në mënyrë që trupi qiellor të shkrihej aqsa për t’i nndryshuar orbitën të gjithë asteoridit. Dhe së fundmi, dërgimi i një anije hapësinore me qëllimin për të goditur asteroidin e në fund për të lëvizur trajektoren e tij.

Në fakt NASA këtë mundësi të tretë do ta ndjekë si strategji realisht në vitin 2022, kohë kur do të dërgojë në hapësirë një anije për të goditur qëllimisht një asteroid (Dimorphos).

Por secila nga këto strategji do të kërkojë kohë dhe në rastin e simulimit, koha rezultoi të ishte shumë e shkurtër për të shpëtuar tokën nga impakti.