Sa jetë mori me vete Covid-19 në të gjithë globin

 Sa jetë mori me vete Covid-19 në të gjithë globin

Si sot një vit më parë, Organizata Botërore e Shëndetit do ta shpallte përhapjen e Covid-19 si një pandemi globale.

Në atë kohë kishte rreth 118 mijë raste të konfirmuara në 114 shtete të vendit dhe një bilanc prej rreth 4300 viktimash, shumica e të cilëve ndodheshin atje ku nisi gjithçka, në Ëuhan të Kinës.

Por sot, një vit pas shpalljes së kësaj sëmundje si pandemi globale, shifrat janë krejtësisht të tjera dhe i përngjajnë një ‘skenari’ lufte.

118,854,879 persona të prekur nga sëmundja në të gjithë botën dhe mbi 2.6 milionë viktima të cilëve virusi u ka marrë jetën. Rekordin për numrin e të prekurve vijon ta mbajë Amerika (SHBA) me thuajse 30 milionë të prekur dhe rreth 540 mijë viktima.

Numri i te infektuarve

Shifrat sipas Worldometers radhisin Brazilin në vendin e dytë me më shumë humbje jetësh, 270,917 të tilla të raportuara.

Vendin e tretë e zë Meksika me 192,488 viktima, India me 158,325 jetë të humbura, Britania me 125,168 viktima dhe Italia fqinje plot 101,184 të vdekur.

Në Shqipëri statistikat pas më shumë se një viti të ardhjes së virusit, janë konfirmuar si të infektuar me Covid-19  115,442 persona dhe 2002 jetë janë shuar prej sëmundjes.

Sot autoritetet në Shqipëri thanë zyrtarisht se në vendin tonë ka mbërritur dhe varianti (mutacioni) britanik i Covid, i cili sipas  studimeve të kryera rezulton të jetë më i rrezikshëm.

Duket se lufta me këtë sëmundje do të vazhdojë edhe për disa kohë, teksa shtetet mundohen të marrin sa më shumë doza vaksinash në mënyrë që të minimizojnë humbjet e mëdha në jetë që virusi po shkakton ende.