Sa shqiptarë kanë mbetur në kampet siriane, konsulli Ghoryaeb jep detaje për riatdhesimin

 Sa shqiptarë kanë mbetur në kampet siriane, konsulli Ghoryaeb jep detaje për riatdhesimin

Konsulli shqiptar në Liban Mark Ghoryaeb, tha se shqiptarët e mbetur në kampet siriane do të kthehen në atdhe.

Në një prononcim për emisionin ‘Shqipëria Live’, konsulli u rezervua të japë një numër ekzakt të grave e fëmijëve të mbetur atje, por pohoi se janë më pak se 50 të tillë. Konsulli theksoi se të gjithë shqiptarët janë lokalizuar dhe në një moment të përshtatshëm do të kthehen të gjithë në Shqipëri.

“Situata politike dhe gjeografike është shumë e vështirë, pandemia po ashtu na ka ngadalësuar lëvizjen.
Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë të sigurt atje, ne i kemi takuar. Jemi duke vazhduar procesin që të mundësojmë kthimin e sigurt në Shqipëri. Numri i fëmijëve dhe grave atje është informacion kritik, e ka vetëm kryeministri, Ministri Brendshëm dhe policia e antiterrorit, në mënyrë që t’i mbajmë fëmijët të sigurt.
Kemi dhe partnerë strategjikë, po punojmë me politikanë të nivelit të lartë. Dua t’ju siguroj që i kemi lokalizuar gratë dhe fëmijët. Ne kemi vite që presim. Do të ndodhë së shpejti (riatdhesimi), në kohën e duhur dhe të përshtatshme. Nuk duam t’i rrezikojmë, por të gjithë do të kthehen“-tha Ghoryaeb.

Kujtojmë se vitin e kaluar (tetor) në Shqipëri u riatdhesuan 4 fëmijë të mitur dhe një grua shqiptare. Pak ditë më parë Ministri i Brendshëm Çuçi shkoi për vizitë në Liban, në kuadër të angazhimit për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në kampet e Sirisë.