Sheh të bijën të vuajë e s’mund ta shpëtojë dot!

 Sheh të bijën të vuajë e s’mund ta shpëtojë dot!

Kushedi sesa rëndë peshon sëmundja në trupin e kësaj vajze…. por e sigurt është se pesha që mban zemra e kësaj nëne është dyfish më e madhe.

Sanije Gashi quhet kjo nënë dhe prej 7 vitesh sheh të bijën të vuajë nga skolioza. Përditë e më keq, përditë e më shumë dhimbje, përditë edhe më shumë mërzi.

Nëna e Arlinës nga Prishtina, rrëfeu në “Shqiptarët për Shqiptarët” ditën kur e bija hyri në operim 7 vite më parë. Duhej të ishte një ditë e bukur, sepse e bija do të shpëtonte më në fund… por ndodhi ndryshe.

Nëna: Më mirë të mos e mendoj atë sepse ka qenë një ditë shumë e vështirë. Kur e bëri operimin, na thanë se do të bëhej mirë ngadalë- ngadalë, por nuk ka patur sukses.

Që nga ajo kohë, për Sanijen ka veç lot… lot që nuk pushojnë.

Nëna: Për mua ajo është gjithçka. Për një nënë është shumë e vështirë ta shohësh vajzën ashtu. Nuk i tregon dhimbjet, ruhet prej babait të vet shumë. Ai bën shumë pas saj dhe Arlina ruhet shumë prej tij, por edhe prej meje. Kam frikë, por shpresën e kam tek Zoti… mund të bëjë mrekulli.

E si mund të pushojnë lotët e një nëne, kur nuk shpëton dot të bijën? Kjo është barra e rëndë që mban kjo grua.

Sanija: Pritëm për një operim. Na kanë dhënë shpresa, por kushton 35 mijë euro. Nuk mundemi ta mbulojmë atë çmim. Ne nuk kemi mundësi, është e pamundur për të arritur atë çmim. Nëse ato para nuk gjenden… nuk e di çka të them (qan)

Sanija ka vetëm një lutje. Ndihmë. Ndihmë për të shpëtuar të bijën. Ndihmë për t’i sjellë gëzim një vajze 22 vjeçe që vegjëlinë ia fali sëmundjes.

Nëna: Nuk i humb shpresat… jam e bindur, gjithmonë shqiptarët kanë kontribuar dhe shpresoj që do ta bëjnë dhe për vajzën time. I lus të gjithë, të na ndihmoni. T’ja dalë dhe Arlina ime…