Shkoi veçse për t’i riparuar një dritë, historia e elektriçistit që i rindërtoi banesën të moshuarës

 Shkoi veçse për t’i riparuar një dritë, historia e elektriçistit që i rindërtoi banesën të moshuarës

U thirr në telefon për të rregulluar një poç që nuk po punonte më. Një e moshuar e mori elektriçistin duke i shpjeguar se drita e tavanit ishte prishur.

Xhon Kini (John Kinney) u nis për punë, pa e ditur se ajo ditë do të ishte ndryshe nga të tjerat. Në derën e shtëpisë e priti kjo e moshuar, 72 vjeçarja Gloria Skot. Me të hyrë në banesë, elektriçisti pa që shtëpia ishte në gjendje të mjeruar.

“Nuk kishte drita fare. As ujë të pijshëm. Kujtoj se në atë shtëpi hyra për ditë të premte dhe më mbeti në mendje gjatë gjithë fundjavës”-kujton i riu në intervistë për CBS.

Elektriçisti e rregulloi dritën në tavan, por vendosi që të hënën të shkojë sërish në shtëpinë e të moshuarës.

“Mendova me vete… duhet të shkoj sërish në atë shtëpi”

Kështu ndodhi. Elektriçisti shkoi në banesën e të moshuarës dhe nisi të punojë mbi defektet elektrike, falas.

Por nuk mbaroi këtu. Xhon vendosë të hapë një faqe në rrjetin social, ku i kërkonte të tjerëve aistencë për të ndihmuar për shtëpinë e të moshuarës. Në faqen në facebook, i riu shkruante se kërkonte ndihmë jo për ti rindërtuar të gjithë shtëpinë.

Por në fakt, ishte pikërisht kjo që ndodhi. Dhjetëra njerëz iu përgjigjën thirrjes së tij. Në shtëpinë e të moshuarës u vendos një tavan i ri, pjesë elektrike e tubacione krejt të reja… deri tek dritaret, muret dhe oborri.

Dukej sikur i gjithë qyteti ishte bërë bashkë për të ndihmuar këtë grua.

“Nuk arrij ta shpreh dot mirënjohjen”-thotë e moshuara, ndërsa të njëjtën habi ka edhe Xhoni, i mrekulluar nga përgjigja e njerëzve. “Nuk ka fjalë për ta përshkruar”

Pas disa muajve punë, diferenca është e madhe.

Tashmë që shtëpia e Glorias përfundoi… ky elektriçist nuk ka ndërmend të ndalet. Ka vendosur të ndihmojë mesa të mundet të tjerë të moshuar, së bashku me njerëz të tjerë të mirë. E kur të ndihmojnë, do të mbajnë veshur këtë bluzë… “Gladiatorët e Glorias”