“Shkoj te varri i babait çdo ditë, pse na le vetëm?” Historia e 7 jetimëve, jetojnë në mes të pyllit

 “Shkoj te varri i babait çdo ditë, pse na le vetëm?” Historia e 7 jetimëve, jetojnë në mes të pyllit

“Çdo ditë shkoj te varri i babit, i them pse na le vetëm? Mami është sëmurë, i them Zotit më merr mua”

Këto fjalë drithëruese dalin nga goja e një vajze 15 vjeçe. Xhuljana jeton në mes të pyllit në fshatin Kamiçan të Elbasanit. Nuk është e vetme. Me të jetojnë dhe 7 frymë të tjera. Nëna Pranvera dhe 6 motrat e vëllezërit e saj. Familja Muça prej dy vitesh ka humbur kryefamiljarin. 7 fëmijët kanë mbetur jetimë. Shtëpia e tyre mbi 100 vjeçare mori fund disa muaj më parë. U shemb dhe bë e pabanueshme. Sot 7 jetimët jetojnë një një çadër të sajuar. Trarë druri dhe një plastikë që mbështjell atë që këta fëmijë e quajnë shtëpi.

Në emisionin “shqiptarët për shqiptarët”, Pranvera tregon për jetën e vështirë që jeton. Ajo vetëm qan kur rrëfen sesi nuk ka ushqim t’i japë fëmijëve. Që prej muajit janar jetojnë në një çadër dhe ushqimi që hanë është thërrime buke, salcë dhe ato pak gjethe e jeshilllëqe që Pranvera gjen në natyrë. Historinë e kësaj familje është e rëndë ta dëgjosh dhe tejet e vështirë ta shohësh.

Pranvera: Burri po bën dy vjet që më ka vdekur… shtëpia u shemb dhe dolëm këtu. Vajzës i ra të fikës një ditë. Më mori drejtori i shkollës dhe më tha që vajza nuk ishte mirë. Unë dhe ajo vuajmë nga veshkat dhe zemra. Nuk kam as para për të mjekuar time bijë.

Ngrihem në mëngjes dhe fëmijët më thonë a ka bukë sot? (qan) U them sot nuk ka, nuk kam çfarë të bëj mami. Fëmijët e mi nuk kanë çfarë të hanë. Ça të bëj? Vjet më dhanë misër. Tre muaj e bëra bukë, pastaj mu mbarua. Atëherë fillova t’i zvogëloj kafshatën… i zvogëlova kafshatën e bukës kalamajve të mi! Nuk ka më keq. Çuni rri e rri dhe shtrëngon rripin e pantallonave, i dhemb barku për bukë… t’i ndash fëmijëve bukën çika- çika. Është krim… nuk e di (qan).

Kela dhe Klestia janë 10 vjeçe, binjake. Qajnë dhe përloten. Thonë se hajnë shumë pak dhe shkojnë në shkollë me barkun bosh. Pavarësisht kushteve kaq të vështira, ato kanë dëshirë që t’u shërohet e ëma dhe motra.

Kela: Kur ka bukë mirë, por kur s’ka… ikim në shkollë ashtu. Mami na bën bukë me salcë, nuk ka asgjë tjetër. Me salcë, vetëm me salcë na e lyen bukën mami. Unë dua të kem një shtëpi dhe të shërohet mami… është shumë sëmurë.

Klestia: Dua të kem një tavolinë që të shkruaj. E kam shumë të vështirë të mësoj, por shkollën nuk e lë dot, ajo duhet.

Djali i vogël i Pranverës përlotet. I del shpesh në ëndërr i ati i vdekur.

Djali: Ka ndërruar jetë babi. Më ka marrë malli shumë. Më thoshte kur ishte gjallë të mos e lija shkollën sepse do më duhej… E shoh shpesh në ëndërr, më thotë mos u mërzit. Babi do të jetë afër teje gjithmonë (qan)… më merr malli shumë për të.

Pranvera lutet dhe ka vetëm një dëshirë, të shohë fwmijët sikur njëherë të vetme, të buzëqeshur.

Pranvera: Më keq se kështu nuk ka. Të jetosh në këtë çadër në pyll… që të të hidhet egërsira tek fëmijët. Kur flemë gjumë na mbyt shiu, barkun e kanë bosh. Unë nuk kam më fuqi, nuk e përballoj dot më! Jetoj me shpresën që më japin këta fëmijë, por unë nuk jam as në qiell e as në tokë. Dua vetëm që njëherë të vetme, fëmijëve të mi t’i qeshë buza.