Shkurt 1967, koha kur Shqipëria u bë vendi i i parë ateist në botë

 Shkurt 1967, koha kur Shqipëria u bë vendi i i parë ateist në botë

54 vite më parë, më shkurt të vitit 1967, ish diktatori Enver Hoxha do të kërkonte zhdukjen e besimit fetar në Shqipëri, duke e kthyer vendin në të parin në botë vend ateist.

Gjithçka u bë në emër të revolucionit ideologjik e kulturor dhe në kushtetutë e ligj u ndalua praktikimi i fesë. Madje në vitët ’70, diktatori e bëri të jashtëligjshëm vendosjen e emrave me origjinë fetare tek fëmijët në Shqipëri.

 “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor,“-shkruhej në Kushtetutën e Shqipërisë së asaj kohe.

Ndonëse shumë objekte të kultit në Shqipëri ishin shpallur monumente kulture, shumë prej tyre nuk i qëndruan dot në këmbë diktaturës. Me shpërthime eksplozivi apo tanke, u shkatërruan rreth 740 xhami, 600 kisha ortodokse, 158 kisha e 530 teqe në të gjithë territorin e Shqipërisë.

“Rinia dhe masa të tjera të popullit në qytete e fshatra u ngritën në këmbë duke kërkuar që kishat, xhamitë, tempujt e manastiret, të mbylleshin bashkë me të gjitha vendet e tjera të ‘shenjta’. Gjithashtu kleri duhet të hiqte dorë nga jeta parazitare fetare dhe të bëhej klasë punëtore si gjithë të tjerët, duke jetuar me punën e djersën e tyre”.

Ky ishte një ndër shpjegimet qesharake që Partia Komuniste përdori, për të justifikuar krimet ndaj besimit dhe objekteve të kultit.

Por shkatërrimi i ndërtesave ku praktikohej feja dhe predikohej fjala e Zotit, nuk ishin i vetmi aspekt i shkatërrimit. Edhe objektet fetare, kodikët, dokumentet e librat u dogjën e shkatërruan, një dëm që edhe sot e kësaj dite qëndron në kurriz të të gjithë kulturës së Shqipërisë.

Njerëzit që praktikonin fenë e veçanërisht ata që ‘vishnin rrobat’ (kleri fetar) e Zotit, u persekutuan e u vranë me gjyqe ose pa proces fare. Në kohën kur Shqipëria ishte ateiste, pagëzimi i një fëmije, ishte i barabartë me vrasjen.

Pavarësisht këtyre tmerreve, besimi në Zot qëndroi në themelet e shpirtrave të atyre qindra mijërave persona që e praktikonin fshehtas besimin e tyre fetar. Për shumë vite besimi e ritet kryheshin në shtëpi dhe fshehtas, pasi në publik ishte e jashtëligjshme të praktikoje fenë, “opiumin e popullit”

Si u shkatërruan dhe denigruan dy prej monumenteve të kultit shqiptar

Kisha në Laç

Në mbrëmjen e 12 qershorit të vitit 1967, pak orë para se besimtarët të niseshin drejt Kishës së Shën Ndoit në Laç, dy batalione e kishin rrethuar të gjithë zonën me artileri të rëndë për të ndaluar pelegrinazhin e përvitshëm. Kisha u qëllua dhe u shkatërrua. Regjimi iu rikthye disa herë kishës, derisa e shkatërroi plotësisht, një objekt kulti që ishte ndërtuar në xhekullin e XIII.

Xhamia Mbret në Elbasan

Brenda mureve të Kalasë së Elbasanit ndodhej një prej xhamive më të dashura për besimtarët muslimanë. E njohur si Xhamia Mbret, një objekt i shekullit të XV, xhamia ishte një vepër artikekturore me çati druri dhe hajat përpara hyrjes. Minareja kalonte në ballonin e sherifasë e ngrihej në pjesën e sipërme me një punim të bukur artistik. Që prej vitit ’67, xhamia u boshatis nga besimtarët dhe u përdor nga komunistët si studio për skulpturat e diktatorëve. Xhamia pësoi dëmtime por me ardhjen e viteve të demokracisë, prej andej u nxorrën të gjitha skulpturat dhe ashtu si me kishën e Laçit, edhe kjo xhami u restaurua.