Shpëtoi 20 vetë dhe luftoi deri në fund me flakët! Nxirret i pajetë trupi i Arjan Salës

 Shpëtoi 20 vetë dhe luftoi deri në fund me flakët! Nxirret i pajetë trupi i Arjan Salës

Pas rreth 50 orësh në luftë për të shuar flakët e tymin në magazinën e djegur në mbikalimin e Kamzës, forcat zjarrfikëse kanë arritur të gjejnë dhe nxjerrin të pajetë trupin e Arjan Salës. I riu me detyrë shef i rojeve të sigurisë hyri në godinë menjëherë sapo mësoi se kishte rënë zjarr. Arjani arriti të ndihmojë 20 punëtorë atje për t’i nxjerrë jashtë godinës në flakë dhe u mundua të shuajë vetë zjarrin. Pavarësisht guximit të tij, Arjan Sala u rrethua nga flakët dhe mbeti i bllokuar në magazinë.

Zjarrfikësve iu desh mbi dy ditë punë për neutralizimin e flakëve dhe tymit , për shkak se magazina përmbante veshmbathje e objekte plastike të cilat e bënë thuajse të pamundur ndërhyrjen në godinë.

Trupi i pajetë i të riut është nxjerrë në orët e para të këtij mëngjesi (në orën 2 të natës) dhe është përcjellë në morg. Arjan Salën e ka identifikuar xhaxhai i tij, i cili qëndroi së bashku me të gjithë familjarët për ditë më radhë pranë magazinës, me shpresën se Arjani do të dilte i gjallë nga flakët.

Sipas hetimit paraprak të zjarrfikësve, i riu ka luftuar me zjarrin për orë të tëra e më pas ka ndërruar jetë prej asfiksisë. Ai është gjetur në pjesën fundore të magazinës i djegur vetëm në disa pjesë të trupit.

Bombulat te cilat mendohet ti kete perdorur i riu

Arjan Sala ishte i martuar dhe la pas një fëmijë 2 vjeçar.

Këtë të shtunë rreth orës 14:00 ai pritet që të përcillet për në banesën e fundit, një i ri që dha jetën për të ndihmuar të tjerët të shpëtojnë nga flakët.

Zv.Ministri i Mbrojtjes u shpreh se me porosi të kryeministrit dhe në përfundim të ekspertizës mjeko-ligjore, Arjan Sala do të shpallet ‘Dëshmor i Atdheut’.