Shqiptarët i bënë me shtëpi! Shikoni dhuratën e mërgimtarit për familjen e minatorit të ndjerë

 Shqiptarët i bënë me shtëpi! Shikoni dhuratën e mërgimtarit për familjen e minatorit të ndjerë

“Amanet fëmijët, të mos m’i lësh rrugëve” Këto ishin fjalët e fundit që Arben Skuka, i tha të shoqes, Burbuqes.

Arbeni, veçse 37 vjeçar, punoi që në vegjëli në minierat e Bulqizës e pak muaj më parë ndërroi jetë prej Covid. La jetimë dy vajza e një djalë të vogël, ndërsa e shoqja në pamundësi për të mbajtur familjen, iu drejtua punës së rëndë. Çdo ditë në orët e para të mëngjesit, kjo grua shkonte për të çarë gurët me shpresën se mund të gjejë sadopak krom për të shitur.

Thirrja e saj në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” u dëgjua. Nuk vonoi shumë dhe një mrekulli shqiptare ndodhi për këtë grua të vuajtur dhe fëmijët e saj jetimë. Me ndihmat, zemrën e lutjet e shqiptarëve, Burbuqes iu ble një shtëpi e re, pasi ajo me fëmijët jetonin me qira dhe në varfëri të madhe.

Rasti i bukur u publikua mbrëmjen e djeshme në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”. Por duket se surprizat nuk përfunduan këtu për këtë familje të vuajtur, pasi Elvisi lexoi mesazhin e një shqiptari që kërkonte të ndihmonte një familje me jetimë.

“Mirmbrëma kam shumë dëshirë që për një familje me jetimë, të kontribuoj sadopak. Kam dëshirë që për një vit t’i siguroj një pagë mujore prej 200 eurosh në muaj. Ju lutem të më jepni nderin”-thuhej në mesazhin e emigrantit.

Pasi lexoi mesazhin, Elvis Naçi dha lajmin e mirë se kjo dhuratë e madhe, do të shkojë në familjen Skuka në Bulqizë.

Ne po mendojmë që këtë 200 euro në muaj për një vit, t’ja dërgojmë familjes në Bulqizë. Nëse familja nga Bulqiza po na ndjek, i japim një lajm të mirë. Një familje në Austri kërkon ta japë pensionin dhe ne menduam për familjen në Bulqizë. Lehtësohuni dhe Zoti ju begatoftë”-tha Elvisi.