Si është gjendja e Kristinës pas operimit? Pas një viti heshtje, 19 vjeçarja nis të flasë sërish

 Si është gjendja e Kristinës pas operimit? Pas një viti heshtje, 19 vjeçarja nis të flasë sërish

“Shqiptarët për Shqiptarët” ka shkuar sërish në qytetin e Elbasanit, për të takuar Kristinën e cila tashmë kreu me sukses operacionin e parë për t’i shpëtuar sëmundjes së rëndë.

Meri e Sidrit Bejleri u nisën për të parë nga afër 19 vjeçaren, nënën dhe gjyshe Ruzhdien.

Kristina qëndron shtrirë në një krevat, ndërsa gjyshe Ruzhdia i pret me fjalë zemre çiftin Bejleri.

Meri Bejleri: Si jeni? Ne për urim kemi ardhur

Gjyshe Ruzhdia: Të falenderoj moj bijë. Qofshi të lumtur. Zoti ju faltë shëndetin se të tjerat vijnë pas.

Sidrit Bejleri: Siç kanë ardh kohërat, një sprovë është për të gjithë prej Covid-it, por për ju… disafish e keni sprovën.

Gjyshe Ruzhdia na thotë se që prej operimit, Kristina ka patur disa përmirësime. Në rastin e saj, ashtu siç thonë dhe mjekët, shërimi do të jetë gradual dhe do të kërkojë kohë. Trupi i Kristinës është çliruar disi nga pasojat e sëmundjes së tmerrshme.

Gjyshja: Para operimit vajza nuk fliste fare. Mbytej kur e ushqeja… as nuk urinonte dot. Tani vajza mund të përtypë ushqim, tani arrin të flasë pak.

Sidriti: Më përpara nuk fliste fare?

Gjyshe Ruzhdia: Jo jo fare. Tani vajza flet disi dhe ka filluar të ecë. Por kjo ishte pjesa e parë, vajza ka ndërhyrje të dytë. Doktorit i thash të kam falur tre jetë. Më tha, kjo pjesë që është operuar është pastruar plotësisht. Pjesën tjetër do ta kryejmë më vonë.

Sidriti: Rëndësi ka që të shkojë gjithçka mirë.

Meri: Ke kaluar vështirësi të mëdha moj nënë.

Gjyshe Ruzhdia: Pasi lindi gocën (Kristinën), vajza lante pllakat. Rrëshqiti dhe çau kokën. Mjeku na tha se nëse nuk operohej do vdiste brenda 10 ditësh. Për 3 muaj e kam ushqyer të keqen nëna… me tub. Kristina ka qenë pa i bërë as dy vjeçe.

Po babai i Kristinës?

Ruzhdia: Na braktisi të keqen nëna…

Sidrit Bejleri: Nënë, na përmende braktisjen… ne pikërisht për këtë kemi dalë, për të mos lënë të braktisur njerëzit. Kjo ka qenë emblema që ne kemi ndjekur për 4 vite, ai guri që ne kemi dashur të ngulisim si të thuash, në mendjen e çdokujt.

Meri dhe Sidriti shkojnë pranë Kristinës dhe për herë të parë në kaq shumë kohë, ajo mundohet t’u flasë, t’i thotë faleminderit dhe t’i përshëndesë. Fjalët nuk i shqipton mirë pasi sëmundja ka ende ‘pushtet’ mbi trupin e gojën e saj, por sytë e Kristinës, flasin…

Gjyshe Ruzhdia: Unë i jam falenderuese të gjithë atyre që kanë ndihmuar dhe atyre që më kanë patur ndërmend dhe nuk kanë mundur se është diçka e madhe për mua kur ka patur njerëz që kanë ndarë dhimbjen time.