Si jetojnë shqiptarët e mbetur në kampin në Siri? Ekspertja e OKB: Kushtet janë çnjerëzore

 Si jetojnë shqiptarët e mbetur në kampin në Siri? Ekspertja e OKB: Kushtet janë çnjerëzore

Historia e kampit të Al Holit në Siri u bë prezente për publikun shqiptar fillimisht përmes historisë së Alvin Berishës, një fëmijë i mbetur në kampin famëkeq për shkak të një ideologjie ekstremiste që e tërhoqi dhe e përplasi atje në fatkeqësitë e një lufte të gjatë.

Alvini arriti t’i shpëtojë kampit falë publikimit të rastit të tij në media, e më pas ndërhyrjes së Italisë, e cila në bashkëpunim me shtetin shqiptar e nxorrën të voglin nga kampi për ta sjellë në krahët e të atit.

Por teksa Alvini sot jeton një jetë normale me babain e familjen e tij, në atë kamp, (mbi)jetojnë rreth 20 shqiptarë të tjerë. Gra dhe fëmijë të vegjël, të sjellë atje prej burrave që në Siri shkuan t’i bashkohen ISIS-it dhe xhihadit.

Në tetor të vitit të kaluar shteti shqiptar bëri përpjekje për të shpëtuar të mbeturit në kamp. Orvatja arriti në shpëtimin e 4 fëmijëve dhe një gruaje. Që nga ajo kohë nuk pati më lajme të gëzueshme për shqiptarët e mbetur në Siri.

Por duket se situata atje është kritike. Një eksperte e Kombeve të Bashkuara dhe raportuese për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, është shprehur se në kampet Al Hol dhe Roj në Siri, jeta është në kushte çnjerëzore. Për median franceze AFP, përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara Fionnuala Ni Aolain, tha se kushtet atje mund të arrijnë në pragun e torturave dhe trajtimit çnjerëzor.

“Shumë prej tyre po përjetojnë një sërë shqetësimesh në lidhje me të drejtat e njeriut. Shtetet duhet të veprojnë në mënyrën e duhur. Ne shprehim shqetësimin se kushtet në këto kampe mund të arrijnë pragun e torturave, trajtimit çnjerëzor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.”, u tha ajo gazetarëve në Gjenevë.

Zyrtarja e OKB-së tha se shqetësimin e ka adresuar me letra zyrtare në drejtim të vendeve që kanë ende shtetas të bllokuar në kampet e Sirisë. Zyrtarja shtoi se shtetet nuk duhet të ‘përdorin’ pandeminë si një arsye për të mos riatdhesuar të mbeturit atje.