Si shpjegohet ‘anija fluturuese’ që u bë virale në rrjetet sociale

 Si shpjegohet ‘anija fluturuese’ që u bë virale në rrjetet sociale

“I thashë vetes se anija duhej medoemos të ishte në det, por mendja e sytë më tregonin tjetër gjë”

Kështu deklaroi 52 vjeçari që shkrepi foton e një anije kargo (mallrash) e cila duket se po qëndron pezull në ajër. Fotoja e shkrepur në brigjet e Britanisë u bë menjëherë virale në të gjithë globin dhe la gojëhapur shumë persona që nuk arrinin ta shpjegonin sesi mund të ndodhte që një anije të ‘fluturonte’.

Por sigurisht që kjo anije mijëra tonëshe nuk po fluturonte. Ajo që foto tregon dhe ajo që panë sytë e 52 vjeçarit që e fotografoi, është një mirazh i njohur si ‘Fata Morgana’ ose mirazhi superior. Një mirazh apo iluzion i tillë ndodh rrallë dhe kur disa kushte atmosferike ndryshojnë.

Pra si ndodhi që anija po “fluturonte”?

Një mirazh i tillë ndodh kur diferencat në temperaturë mes detit dhe ajrit ndryshojnë mënyrën sesi drita lëviz e më pas vjen tek sytë tanë. E njëjta gjë ndodh dhe me aparatin fotografik.

Në përgjithësi, ajri i ftohtë ‘’ulet’ sipër ajrit të ngrohtë dhe sa më lart të jemi në hapësirë, aq më ftohtë bëhet. Një ‘ngjitje’ në mal ku sa më lart ngjitesh, aq më ftohtë është, e tregon më së miri këtë fenomen.

Por në këtë situatë modeli është krejtësisht invers. Ajri i ftohtë qëndron më poshtë, në rastin e anijes, më pranë sipërfaqes së detit. Shtresat e ngrohta të ajrit kanë qëndruar më lart sipërfaqes së detit. Ky invertim i shtresave të ajrit, është përgjegjës për mirazhin.

Kjo sepse drita udhëton më shpejt në ajër me temperatura të ngrohta dhe më ngadale në temperatura të ftohta, ku densiteti është dhe më i lartë. Në rastin e 52 vjeçarit që pa dhe shkrepi foton e ‘anijes fluturuese’ , drita në shtresat e ngrohta të ajrit ka udhëtuar më shpejt drejt syrit të tij (po ashtu edhe të aparatit fotografik), duke bërë që anija të pozicionohet më lart. E bukura e këtij fenomeni është se mirazhi është kapur ne foto, ku aplikohet po e njëjta logjikë.

Për të parë vizualisht si ka ndodhur iluzioni, klikoni në këtë video të kanalit te Shkencës

Një profesor i universitetit të Glasgow në Britani e shpjegoi fenomenin duke thënë se drita udhëton në vektorë të drejtë tek sytë tanë, duke bërë që objektet t’i shohim drejt… por ka raste të veçanta, ku drita ‘përthyhet’ dhe na bën të shohim ‘ndryshe’.

E njëjta gjë ndodh kur jemi në det apo pishinë. Kur shohim dorën në brendësi të ujit, duket sikur ajo nuk është ‘drejt’ në raport me trupin tonë. Kjo ndodh sepse drita udhëton në shpejtësi të ndryshme në ajër e në shpejtësi tjetër në ujë.

Ky pra është principi i thjeshtë, që bëri ‘anijen të fluturojë’.