Skolioza po i merr jetën, klithma për ndihmë e nënës shqiptare: Po çmendem! S’kam mundësi të shpëtoj djalin

 Skolioza po i merr jetën, klithma për ndihmë e nënës shqiptare: Po çmendem! S’kam mundësi të shpëtoj djalin

Çfarë do të bëje sikur të mund të ktheje kohën pas? Kjo nënë që nuk pushon së qari me gjasë do ta kthente kohën pas për të bërë sërish gjithçka për djalin e saj, me më shumë mund, me më shumë sforco për të arritur që të shohë të birin në këmbë.

Loreta quhet dhe prej një dekade kujdeset çdo ditë për të birin Alkidin. Sot Alkidi është 19 vjeç dhe vuan nga disa sëmundje. Më e rrezikshmja mbetet ajo e skoliozës e cila ia përthyer trupin në atë fazë saqë organet i janë deformuar dhe jeta i rrezikohet seriozisht.

E përlotur dhe me rrathë të mëdhenj në sy, Loreta tregon se djali iu sëmur kur ishte vetëm 8 vjeç. Gjithçka nisi si një sëmundje e lehtë, por me kalimin e viteve, i biri nuk mundte dot të ecte më. Makthi kishte filluar për këtë nënë shqiptare.

Loreta: Problemet e tij filluan në moshën 8 vjeçare. Ishte i sëmurë me bajame atë kohë dhe mbasi u kuruam filloi të humbte ekuilibrin. E shtrova në spital dhe më thonin mos u bëj merak se do të kalojë. Ndërruam shumë mjekime dhe shumë herë e kam çuar në spital. Përkeqësohej shumë. Lërë atë mjekim më thonin se nuk bën punë. Disa herë më thanë që nuk e gjenin dot zgjidhjen dhe më thonin çoje jashtë shtetit. Por unë nuk kisha mundësi ta çoja. I thoja me lutje të më ndihmonin por më thonin që nuk mundeshin. Në 2012 Alkidi u përkeqësua shumë aqsa deri tek shkallët nuk dilte. Në Itali e kam çuar tek motra. 6 muaj e çova dhe më thanë që kishte nervat e dëmtuara. I vunë një korse metalike. E mbajti 2 vjet e gjysëm por nuk është se kishte ndonjë lloj përmirësimi. Mbasi nuk kisha më mundësi. Borxhe askush nuk më jepte.

Alkidi tregon për emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se jeton prej vitesh i vetmuar. Nuk ka më asnjë njeri, përveçse Flavios, shokut të fëmijërisë që e viziton kahera. E dhimbshme është kur vetë Alkidi thotë se i ka mbetur edhe një shok tjetër… macja e shtëpisë.

Alkidi: Dhimbja është e madhe, shpatulla më dhemb shumë. Më mungon e luajtura me shokët e mi. Më mungon futbolli sepse… e pëlqeja shumë si lojë. Gjithmonë preferoja të rrija portier. Për fat të keq nuk arrita dot… Ajo çka ëndërroj nuk do të kishte gjë më të madhe sikur të ecja… më vjen për të qarë por e mbaj veten. Rri këtu me macen, shokun tim. Vetëm këtë kam shok.

Po shokët nuk të vijnë?

Alkidi: Vetëm një shok më vjen.

Flavio: Kemi qenë shokë që  në fëmijëri. Jo se jemi ndarë, por si të thuash sëmundja e pezulloi. E takoja çdo mbasdite. Gjithmonë kam qenë dhe nuk e kam harruar. Do vij sa më shpesh ta takoj sërish Lumturohet sa më sheh tek dera. Mundohem të vij që t’ja heq atë mërzi që ka brenda. Do doja të mos vija ta shikoja këtu, por të takoheshim jashtë.

Flamuri, babai i Alkidit është i dërrmuar fizikisht. Puna e tij është e lodhshme pasi ai merret me ndërtim. Duart e tij tregojnë më së miri jo vetëm lodhjen fizike, por edhe gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhet.

Mundohet të mbajë lotët kur rrëfen se i gjithë trupi i dridhet kur familjarët e marrin në telefon. Thotë se e vetmja gjë që i shkon ndërmend është në mos i ka ndodhur gjë djalit të tij.

Flamuri: Gjithë jetëm time nuk është se kam patur profesion. Jam marrë me ndërtimin. Çdo gjë që shihni e kam bërë me duart e mia në shtëpi. Por ndërkohë, u bë një vit e gjysëm që jam sëmurë. Kam probleme me mesin. 6 muaj nuk kam lëvizur fare. U bënë kaq vite që marr rrogën dhe e lë në spital për Alkidin. Për mua tashmë është kulmi sepse Alkidi është përkeqësuar shumë. Unë dy duar kam dhe me aq sa kam punuar, nuk ia dal dot më. Nuk kërkoj shumë, edhe sikur me paterica, ta shihja në këmbë atë djalë. Të paktën po të ishte për pjesë të trupit tim, do i jepja me gjithë shpirt çfarëdo t’i duhej. Nuk ia fal dot vetes, po të isha bërë dikush ndoshta do e kisha ndihmuar tim bir. Kam dashur ta shes shtëpinë, por nuk e blen njeri. Jam me vëllezërit këtu. Po sikur ta shisja, kisha dalë në rrugë, vetëm që im bir të shërohej. Kur nusja më merr në telefon mendoj më të keqen, mendoj për Alkidin…. gjithmonë e kam mendjen tek ai. Të gjithë gëzohen kur marrin telefonata nga familja, por unë dridhem kur më telefonojnë. Nuk do doja ta thoja këtë, por është e vërtetë.

Por ajo që prek thellë është rrëfimi i përvuajtur i Loretës, kësaj nëne që kujdeset ditë e natë për të birin. Ajo thotë se pas vizitave të shumta ka tentuar ta çojë në Gjermani të birin. Me të shkuar atje autoritetet e kanë kthyer mbrapsht, madje as duke mos i lënë që Alkidi të ndërrojë korsenë metalike që ka vënë tek këmbët. E përlotur, Loreta tregon momentet kur një mjek në Shqipëri, i ka folur se jeta e djalit nuk mund të shpëtohej.

Loreta: Në 2015 shkova në Gjermani. I bëmë ekzaminime por menduam për një që kushtonte 8 mijë euro. Korsenë ia hoqën, por në Gjermani na kthyen me policinë. Iu lutëm por nuk na lanë t’i ndërronim korsenë. Djalin e sollën në Rinas me ambulancë. Deri atje nuk e kam parë djalin. Para tre javësh u bë shumë keq. Ishte deformuar shumë. Deformimi i ka prekur organet… gati sa nuk u çmenda. Kalova nga një gjendje atje, më tha një fjalë shumë të rëndë ai mjeku. Më tha ashtu është bërë dhe ashtu do të shkojë.

Një tjetër mjekt e pa, ishte turk. Më tha që duhej të bëjë një operacion urgjent sepse shtylla kurrizore i  është shtrembëruar në 70 gradë. Nëse shkon në 80 gradë është shumë e rrezikshme për jetën. Djali nuk ha bukë, një vakt në ditë ha. Më thotë jam i ngopur. Me ujë mbytet… kur e laj tim bir tmerrohem (qan) Kam kaq vite që nuk kam lënë derë pa trokitur, ju lutem më ndihmoni për jetën e djalit tim. Unë nuk dua asgjë tjetër përveçse jetës së djalit tim.

 Sot Alkidit i duhet një shumë prej 22 mijë eurosh, në mënyrë që mjeku të kryejë operacionin për skoliozën e rëndë që e ka prekur. Nëse Alkidi nuk hyn në operacion, trupi i tij me gjasë do të përkulet deri në moskthim, duke i marrë kështu jetën. Vetë 19 vjeçari, i përlotur, i kërkon ndihmë shqiptarëve.

Alkidi: Nuk besoj se ka dëshirë më të madhe se të shërohem. Jo dua, por kam nevojë që të shërohem. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që sado pak të më ndihmojnë dhe mua. Të vejnë dorën në zemër për mua. Të jetoj dhe unë një ditë të lumtur. Është një ëndërr për mua.