Sonte ndeshja e madhe për kuqezinjtë, formacioni i mundshëm dhe parashikimi i Lorik Canës

 Sonte ndeshja e madhe për kuqezinjtë, formacioni i mundshëm dhe parashikimi i Lorik Canës

Këtë mbrëmje kombëtarja e Shqipërisë pret në ‘Air Albania’ Poloninë e Lewandowski-t, një ndeshje me rëndësi të madhe për kuqezinjtë, të cilët aktualisht mbajnë vendin e dytë në grup.

Planet e trajnerit Edy Reja kanë ndryshuar disi pas daljes pozitiv me Covid të sulmuesit Sokol Cikalleshi, përfshi këtu dhe mungesën e Berat Gjimshitit (shiko më poshtë). Endri Çekiçi po ashtu nuk do të jetë i disponueshëm për shkak të kartonëve, përfshi këtu edhe mungesat e Bekim Balajt e Erjon Hoxhallarit.

Pavarësisht këtyre vështirësive, pritet që Reja të vendosë një linjë me 3 qendërmbrojtës (Ismajli, Kumbulla, Veseli), të ndihmuar nga dy krahët (Hysaj e Trashi)

Në mesfushë pritet të vendosen Keidi Bare, Klaus Gjasula, e Bajrami. Në sulm mendohet se është zgjedhur të dalë Armando Broja, njeriu i momentit për kombëtaren kuqezi në tre ndeshjet e fundit. Në krah të 20 vjeçarit në repartin e sulmit pritet të jetë Rei Manaj, ndërsa porta sigurisht do të mbrohet nga Etrit Berisha.

Ndeshja në “shtëpi”, pritet të ketë pjesëmarrje të lartë të tifozëve

Janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen, plot 22 mijë. Pritet që në ‘Air Albania’ të ketë dhe tifozë polakë, afro 1 mijë prej tyre.

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se orari i hyrjes së tifozëve do të nisë nga ora 18:00. Nuk do të lejohen personat nën moshën 16 vjeç, nëse nuk janë të shoqëruar. Ndalohet, njofton FSHF, që tifozët të kenë me vete sende të forta.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm mbrëmjen e sotme në stadiumin kombëtar “Air Albania” për të ndjekur ndeshjen “Shqipëri – Poloni”, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022” mbi orarin e hyrjes së tyre në stadium dhe mbi një pjesë të materialeve që nuk do të lejohen të mbahen me vete në stadium.

– Hyrja e tifozëve do të fillojë në ora 18:00.
– Të gjithë personat që janë të pajisur me biletë, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit si dhe nuk do të lejohen fëmijët nën moshën 16 vjeç, të cilët janë të pashoqëruar nga prindërit.
– Nuk do të lejohen disa sende si, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj
– Lejohet vetëm flamuri zyrtar shqiptar.

Duke ju falenderuar për mbështetjen e pakufishme që i jepni gjithmonë ekipit Kombëtar shqiptar, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në mbështetjen tuaj të përhershme.”-njoftoi FSHF.

Gjimshiti del me sukses nga operacioni

Mbrojtësi i Atalanta-s Berat Gjimshiti u operua me sukses në dorë dhe pritet të qëndrojë jashtë fushës së blertë për disa kohë. Sot në vigjilje të ndeshjes së rëndësishme për kombëtaren, ai përcolli foto e këtë mesazh për shokët e skuadrës.

Operacioni ishte i suksesshëm dhe do kthehem sa me shpejt ne fushe, sonte do bej tifo nga shtëpia dhe i uroj shume fat shokëve të skuadrës”-shkruajti Gjimshiti në rrjetin social.

Parashikimi i Lorik Canës

Lorik Caka ka dhënë një intervistë për median polake “SportoweFakty”, duke thënë se Shqipëria e ka një avantazh ndaj ekipit polak.

“Kjo ndeshje është shumë emocionuese për shqiptarët, sepse ne rrallë e kemi fatin në duart tona në këtë fazë të eliminimit të një ngjarjeje të madhe. Nëse fitojmë me Poloninë, do të jemi shumë pranë play-off-it”,-tha ish kapiteni i kuqezinjve.

Sa i takon një parashikimi për rezultatin e ndeshjes, Cana tha se pret që Shqipëria të fitojë 2 me 1.

“Mbështes Shqipërinë dhe mendoj se rezultati do dalë 2 me 1 për Shqipërinë. Ne kurrë nuk kemi luajtur në finalet e kampionateve botërore dhe një fitore ndaj Polonisë do t’i zgjaste ëndrrat tona që, më në fund, të realizohen. Prandaj, motivimi dhe vendosmëria janë të mëdha këtu”