Statistikat, shqiptarët shkojnë drejt Tiranës e Durrësit! Kush janë qarqet që po ‘tkurren’

 Statistikat, shqiptarët shkojnë drejt Tiranës e Durrësit! Kush janë qarqet që po ‘tkurren’

Shqiptarët po largohen nga qytetet apo fshatrat e tyre të lindjes për t’u zhvendosur në Tiranë apo Durrës.

Vetëm në vitin që lamë pas, sipas INSTAT, këto dy qarqe kanë njohur rritje në popullsi, në krahasim me 10 qarqet e tjera të vendit. Konkretisht në Tiranë numërohen 912 mijë banorë, rreth 6 mijë më shumë se në vitin 2019. Popullsia e Durrësit po ashtu u rrit me 1400 banorë duke shkuar në 292 mijë banorë në total.

Për qarqet e tjera, situata paraqitet krejt ndryshe. Popullsia është zvogëluar ndjeshëm në qarqet e Elbasanit e Fierit, që kanë dhe rënien më të madhe, përkatësisht me 3800 banorë më pak krahasuar me vitin 2019.

Shkodra dhe Berati po ashtu janë ‘tkurrur’ në popullsi, përkatësisht me 2900 dhe 2600 banorë më pak se në vitin 2009.

Në Gjirokastër e Kukës, shifrat janë edhe më të mëdha, pasi në këto dy vende numri i popullsisë ka zbritur në 58 mijë banorë (Gjirokastër) e 74 mijë banorë (Kukës).

Përveçse migrimit të brendshëm drejt Tiranës e Durrësit, shumë qytetarë zgjedhin të largohen nga vendi (emigrojnë). Dhe pjesa dërrmuese e popullatës që largohet është ajo që i përket moshave të reja. Kjo sjell në Shqipëri dhe një tjetër fenomen negativ, atë të plakjes së popullsisë dhe mungesës së fuqisë punëtore.