Studimi: Sjellja e ashpër e prindërve mund të dëmtojë zhvillimin e trurit tek fëmijët

 Studimi: Sjellja e ashpër e prindërve mund të dëmtojë zhvillimin e trurit tek fëmijët

Nëse vazhdimisht e gjeni veten të zemëruar apo duke i bërtitur fëmijës tuaj, bëni mirë të ndaloni ose të largoheni. Kjo formë sjellje ndaj fëmijës, po shkakton një impakt negativ në zhvillimin e trurit të tyre.

Kështu sugjeron një studim shkencor i kryer nga Universiteti i Stanford-it e Montrealit, i cili në fokus ka patur vëzhgimin e trurit të fëmijëve që përballen me një prindërim “të ashpër”.

Studiuesit zbuluan në bazë të kërkimit, se fëmijët që rriten nga prindër të ashpër, zhvillojnë më pak korteksin parafrontal e amigdalën, dy struktura të trurit, që luajnë një rol kyç në rregullimin emocional dhe në shfaqjen e ankthit e depresionit.

Sipas Dr. Sabrina Suffren (shkencëtarja që drejtoi studimin), rrjedhojat që vijnë prej sjelljes së ashpër ndaj fëmijëve “shkojnë përtej ndryshimeve në tru”.

“Unë mendoj se gjëja më e rëndësisshme është që njerëzit dhe shoqëria të kuptojnë se, përdorimi i shpeshtë i gjuhës apo sjelljes së ashpër përkarshi fëmijëve, mund t’i dëmtojnë atyre trurin. Këtu po flasim jo vetëm për trurin, por edhe për zhvillimin e tyre social dhe emocional.

Të dhënat e përdorura nga kërkuesit janë të një sërë fëmijëve të monitoruar që nga lindja e tyre në vitet 2000 e deri më tutje, në spitalin Saint Justine. Fëmijët e vëzhguar ishin nga mosha 2 deri në 9 vjeç. Rezultatet e studimit u bazuan në bazë të monitorimit të këtyre fëmijëve, nivelit të ankthit dhe skanerave të trurit të të miturve.

Dr. Suffren shpjegoi se gjetjet ishin të rëndësishme dhe të reja.

“Është hera e parë që shohim sesi prindërimi i ashpër lidhet me zvogëlimin e madhësisë strukturore të trurit, njëlloj siç shohim me viktimat që kanë rënë pre e akteve të dhunës apo abuzimit.”

Doktoresha tha për median se shpreson shumë që ky studim të merret në konsideratë nga prindërit, që të mos godasin apo mos t’i bërtasin fëmijëve, pasi thënë shkurt, po i dëmtojnë zhvillimin mendor.