Të organizosh rrëmbimin e vajzës tënde, historia që ndezi debatet në Francë

 Të organizosh rrëmbimin e vajzës tënde, historia që ndezi debatet në Francë

Katër burra u ndaluan nga autoritetet policore në Francë, nën akuzën e planifikimit e rrëbimit të një vajze 8 vjeçare, një rrëmbim që prokuroria dyshon se e ka porositur vetë nëna e vajzës.

Kjo ngjarje ndezi një debat në Francë dhe alarm mes autoriteteve për zhdukjen e të miturës.

Mia quhet 8 vjeçarja dhe u rrëmbye nga shtëpia e gjyshes së saj në Vosges të martën. Tre burra shkuan në shtëpinë ku qëndronte vogëlushja dhe u hoqën si punonjës socialë. Vajza u rrëmbye dhe më pas dyshohet se iu dorëzua nënës së saj.

Gjyshja kishte fituar kujdestarinë e vajzës sepse nëna e 8 vjeçares donte të “jetonte në kufijtë e shoqërisë”. Kështu ishte shprehur ajo në gjykatë, duke thënë se donte ta jetonte jetën e saj në rrugë dhe në lëvizje, një arsyetim i mjaftueshëm që për 8 vjeçaren gjykata të vendoste në favor të gjyshes së saj.

Policia vijon ende të kërkojë për nënën 28 vjeçare dhe të bijën 8 vjeçe, teksa prokuroria konfirmoi se në shtëpinë e njërit prej burrave të ndaluar për rrëmbimin, u gjetën materiale që mund të përdoreshin për të bërë eksplozivë. Burrat e ndaluar ishin pjesë e një hetimi, që siç raporton media BFMTV, dyshohej se mund të kryenin vepra apo akte terrori nëpër qendrat e vaksinimit.

Prokurori i çështjes deklaroi se njëri prej rrëmbyesve të 8 vjeçares, e konsideronte veten një “disident” të stilit të ‘Arsen Lupenit”, ndërsa një tjetër besonte se po i shpëtonte jetën vajzës duke e çuar tek e ëma… pavarësisht se më vonë në një deklarim para hetuesve, u shpreh se mund të ishte mashtruar nga 28 vjeçarja (Lola Montemaggi).