Të shoqen shtatzënë ia mori Covid, kolegët e punës mblidhen të gjithë në ndihmë të shqiptarit

 Të shoqen shtatzënë ia mori Covid, kolegët e punës mblidhen të gjithë në ndihmë të shqiptarit

Kishte ardhur në Gjermani prej pak vitesh për një jetë më të mirë. Ai dhe e shoqja jetonin një jetë të qetë dhe po prisnin një fëmijë. Në muajin e 7-të të shtatzanisë, gjithçka merr një drejtim tjetër. E shoqja dhe 30 vjeçari preken nga Covid.

Ajo shtrohet në spital në Frankfurt. Gjendja e saj përkeqësohet dhe mjekët detyrohen të ndërhyjnë përmes procedurës cezariane për të shpëtuar fëmijën. Foshnja lind me një peshë prej veçse 980 gramësh. Fatmirësisht bebi ishte mirë, por nëna e re jo.

Media gjermane shpjegon se ajo u fut në koma dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve gjermanë, humbi jetën.

Një tragjedi për të shoqin dhe një histori që me të vërtetë të thyen zemrën. Nëna nuk e pati mundësinë për të parë foshnjen.

I ndodhur në kushte jashtëzakonisht të vështira, e gjithë kompania ku shqiptari punonte, vendos të ndihmojë. Të gjithë punonjësit marrin përsipër të kryejnë punën e tij që ai të mund të marrë pushime për t’u përballur me humbjen e të shoqes dhe përgjegjësinë e madhe të rritjes së një foshnje.

Shumë prej punëtorëve i dhuruan atij ditë pushimi ose para. Falë zemërgjerësisë së këtyre njerëzve, shqiptari mori 160 ditë pushimi, ndërsa drejtuesi i kompanisë u shpreh për median se ata janë një familje dhe s’mund ta lënë në baltë njëri- tjetrin.

 “Ne jemi një biznes familjar, unë vetë kam tre fëmijë të vegjël… Është një frymë e shkëlqyeshme ekipi, të kesh punonjës të tillë si drejtor menaxhues është shumë mirë”- u shpreh drejtuesi i kompanisë.