Të shoqin ia vrau ariu, mbeti vetëm me dy vajzat! Rrëfimi i nënës: Mbijetova duke mbledhur lule në mal

 Të shoqin ia vrau ariu, mbeti vetëm me dy vajzat! Rrëfimi i nënës: Mbijetova duke mbledhur lule në mal

Këto pamje të mëposhtme i përkasin një zone shumë të largët. Këtu jemi në fshatin Trebisht në Dibër, fare pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Pak shtëpi kanë mbetur dhe shumë prej tyre i gjen bosh. Nuk ka më njerëz.

Kjo banesë i përket familjes Emini. Shtëpia është e vjetër, ka mundur deri më sot t’i mbijetojë kohës, ndërsa brenda mban të paktën 30 vite vuajtje. Vuajtjet e kësaj gruaje, që e vetme arriti të rrisë vajzat e saj.

Kjo nënë i ka përshkruar me lot këto rrugë dhe jo vetëm. I është dashur të shkojë maleve, të ‘shpikë’ një mënyrë për të mbajtur gjallë vajzat. Dhe në këtë zonë të vendit, mbijetesa është e vetmja. Këtu nuk ka gëzim, lumturi, të ardhme apo gjësend… jetesa ‘tkurret’ në mbijetesë.

Për emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, Dallëndyshja tregon se 30 vite më parë humbi të shoqin. Eqeremi e gjeti vdekjen nga një ari që e sulmoi në pyll. Përleshja me kafshën dhe plagët e rënda, i morën jetën. Dallëndyshja mbeti e vetme me dy vajzat, të dyja ende fare të vogla.

Dallëndyshja: Katër vjet martesë ishin. Ai vdiq, e vrau ariu. Më la me dy vajza. Nuk dija ku të shkoja. Gocat ishin fare të vogla. Me dy mijë lekë të vjetra mbeta. S’kisha tjetër gjë. Nuk kisha çfarë të bëja. Shkoja në mal për të mbledhur lule.

U detyrua të ngjisë malin përditë për të mbledhur lule ose hithra. Për t’i shitur, për të mbijetuar.

Dallëndyshja: Vajzat i leja në shtëpi, në oborr. Njërën e kisha në djep. Njëherë kur jam kthyer nga mali, vajza e kishte në fyt leckën që lidhej djepi. Tjetra kishte hyrë në çezmë, ishte lagur e ftohur. Kam shkuar tek një mami… ajo në fillim i dha bukë fëmijëve, se ne as bukë nuk kishim.

Por vuajtjet e kësaj nëne, nuk mbaruan. Ajo arriti t’i rrisë vajzat, ama Jonida, sot është në gjendje të rënduar shëndetësore. Prej 10 vitesh, Jonida vuan nga skolioza. Trupi i është deformuar dhe frika është e madhe. Vajza e saj mund të paralizohet. E vetmja gjë që mbetet për këtë nënë, është një lutje drejtuar shqiptarëve. Edhe fjalët i rëndojnë kur ngushëllon të bijën… sepse e di që vetë, s’mund ta shërojë dot Jonidën

Dallëndyshe: Mos u mërzit, do të shërohesh. I lutem shqiptarëve, të më ndihmojnë sa të kenë mundësi për gocën. Ta shikoj vajzën siç ishte. Të mos e shoh më kështu.

Jemi stresuar e lodhur… sa kam parë në jetë vuatje. I lutem Zotit, vetëm të shërohet vajza. Ajo është e re, të mos i shkojë jeta kështu. Dita ditës, bëhet më keq, trupi i dridhet.

Jetën e saj e rrezikon, kam frikë mos vajza po paralizohet komplet.