Të shoqin ia vrau ariu, vajzat i rriti në skamje… fjalët e një nëne, para se e bija të hyjë në operim

 Të shoqin ia vrau ariu, vajzat i rriti në skamje… fjalët e një nëne, para se e bija të hyjë në operim

Kjo grua ka vuajtur gjithë jetën e saj. 30 vite më parë i shoqi ndërroi jetë. Eqeremi e gjeti vdekjen nga një ari që e sulmoi në pyll. Përleshja me kafshën dhe plagët e rënda, i morën jetën.

Në shtëpinë e tij në një zonë të thellë të Dibrës, la të vetme dy vajzat. Në ato kohë fare të vogla. Barra i ra Dallëndyshes, e cila për të mbajtur gjallë të bijat shkonte çdo ditë në mal për të mbledhur lule.

Pavarësisht kushteve të mjerueshme, Dallëndyshja i rriti të bijat, derisa njërës prej tyre i ra një sëmundje.

Lutja e Jonidës dhe nënës së saj Dallëndyshes mbërriti në emisionin Shqiptarët për Shqiptarët, por edhe në zemrat e atyre shqiptarëve që u prekën nga rasti i Jonidës. Mesazhi i saj erdhi i shkruar në një letër, sepse përveçse shkrimit, kjo familje e varfër nuk kishte asnjë mjet tjetër komunikimi.

Jonida mbërriti në Tiranë për t’ju nënshtruar operacionit që do ta shpëtojë nga dhimbjet e dridhjet e trupit. Pak para ndërhyrjes, Dallëndyshja e Jonida dhanë këto mesazhe:

Nëna: Shyqyr që erdhi kjo ditë për vajzën, që të shërohet. Operacioni është i vështirë, por me Zotin përpara… doktorët i falenderoj që e morën përsipër vajzën që ta shërojnë. Tani jam më e qetë, se pres ta shoh vajzën të shëruar.

I falenderoj të gjithë vëllezërit e motrat, që kontribuan për gocën që të shërohet.

Jonida: Frikë kam, por ndjehem e lumtur që erdhi dita dhe për mua, të gjendet zgjidhja dhe unë të bëhem mirë. Falenderoj shqiptarët kudo që janë, që kontribuan për mua. Kam 10 vite që bredhim nëpër spitale me mamin e dajën.

Dallëndryshja puth të bijën përpara se ajo të shkojë në sallën e operimit. Do të presë edhe njëherë kjo nënë, do të durojë dhe njëherë dhimbje, me shpresën se e bija më në fund do të shërohet.