Teleskopi që do të shohë miliona vite “në të shkuarën”… niset drejt hapësirës më tetor

 Teleskopi që do të shohë miliona vite “në të shkuarën”… niset drejt hapësirës më tetor

Një mrekulli teknologjike se teleskopi James Webb, po kalon në testet finale, përpara nisjes në hapësirë. Teleskopi Webb (JWST) do të zëvendësojë kështu ‘veteranin’ Hubble, me gjasë gjatë muajit shtator të këtij viti.

Një ndër objektivat kryesorë të teleskopit Webb, do të jetë “kapja” e dritës së yjeve të para në Univers (universin e njohur). E për ta bërë këtë, teleskopi ka një pasqyrë gjigande prej 6.5 metrash në diametër (25 m2), me pasqyra të përbëra nga materiale krejt të veçanta (Berrilium) dhe nga nje veshje të hollë ari.

Kompania që po merret me ndërtimin e teleskopit hapësinor më të madh e më të fuqishëm të ndërtuar ndonjëherë, po studion në detajet më të vogla pajisjen, përpara dërgimit në hapësirë. Kjo pasi teleskopi do të jetë deri në 1.5 milionë kilometra larg tokës dhe nuk do t’i bëhet ‘servis’, siç ka ndodhur me teleskopin Hubble.

Mburoja e teleskopit

Përveçse një teknologjie mbresëlënëse dhe kapacitetit për të ‘parë’ në hapësirë si kurrë më parë, teleskopi Webb është i pajisur dhe me një mburojë në përmasat e një fushe tenisi, për ta mbrojtur nga drita e dielli. Kjo “mburojë” e ndarë në disa shtresa do të shërbejë si manteli i nevojshëm që ‘sytë’ dhe kalkulimet e teleskopit të jenë preçize.

E nëse gjithçka shkon mirë dhe teleskopi niset në hapësirë me një anije kozmike, ajo që ndodhi në Mars me sondën Perseverance (shkencëtarët pritën 7 minuta për të mësuar nëse kishte mbërritur apo jo në tokën marsiane sonda), do të jetë një shaka e vogël. Kjo sepse teleskopi hapësinor Webb do të rrotullohet rreth diellit dhe derisa të ‘shpaketojë” të gjithë komponentët e sistemet e saj operative, do të duhen të paktën dy javë kohë. I gjithë projekti është krijuar i atillë që të “paketohet” dhe kur të dalë në hapësirë, automatikisht të “shpaketohet”.

Detyra e parë e shkencëtarëve nëse gjithçka shkon mirë me dërgimin e teleskopit në hapësirë, do të jetë radhitja e saktë e 18 segmenteve të pasqyrës, që krijon “syrin” 6.5 metra të teleskopit.

“Kur të bëjmë foton e parë të një ylli, do të mund të shohim dhe 18 të tillë, kjo sepse çdo segment i pasqyrës funksionon edhe si një njësi më vete. Detyra jonë do të jetë që të identifikojmë se cilin yll po sheh cila pasqyrë, në mënyrë që më tutje të drejtojmë të gjitha pasqyrat për të parë më në detaje”shpjegoi Begona Villa, një prej inxhinierëve në NASA.

Webb do të jetë teleskopi që do të shikojë me saktësi e preçizion dritën e yjeve të parë të Universit miliarda vite dritë larg…. thënë ndryshe, do të shikojë dritën e shpërfaqur* që ka udhëtuar për miliarda vite në hapësirë.

Projekti mbi këtë teleskop hapësinor ka kushtuar deri më tani 10 miliardë dollarë dhe është një bashkëpunim disavjeçar mes SHBA-ve, BE-së, Kanadasë dhe agjencive të ndryshme hapësinore.

(* Distanca mes Tokës dhë Hënës është rreth 380 mijë kilometra dhe dritës i duhen 1.3 sekonda që të udhëtojë nga Hëna tek ne. Pra kur ne shohim Hënën, në fakt po e shohim 1.3 sekonda në të shkuarën…. me Diellin 8 minuta e kështu me radhë. Por llogaria është krejt tjetër, kur flasim për yje që janë miliona vite/dritë larg nesh, çka do të thotë se ne po shohim dritën e një ylli siç ka shkëlqyer miliona vite më parë)