“T’i lësh fëmijët pa bukë… edhe këtë e kam bërë” Një histori e pabesueshme e mjerimit

 “T’i lësh fëmijët pa bukë… edhe këtë e kam bërë” Një histori e pabesueshme e mjerimit

Teksa shkul nga këto rrënoja hekurishte për t’i shitur më pas në treg për pak të holla, me siguri i kujtohet Dori dhe Bora, dy vajzat e tij.

Pas orëve në kërkim të hekurave nëpër rrënoja, në plehra apo kudo të gjejë, në kasolle e presin vajzat dhe e shoqja. Ka ditë që shkon me pak para në xhep, kurse në ditë të tjera pa asnjë kacidhe.

Kjo grua qan kur ‘vishet’ me fjalën mama. Ajo është nënë e dy vajzave, por sytë i pikojnë kur pranon se shpesh herë nuk ka patur para që t’i ushqejë.

“Që kur jam martuar 20 vjeçe, unë në këtë kuzhinë kam rritur vajzat, jemi në mes të pyllit kemi frikë të flemë, vajzat kanë shkuar në shkollë edhe pa ngrënë, nuk kam pasur qindarka për bukë thatë, nuk kam pasur mundësi ta blej, jam nënë që le fëmijët për bukë… unë punoj pastruese 200 mijë lekë të vjetra marr e nuk më dalin”-, thotë kjo grua.

Kurse kjo këtu është ‘shtëpia’. Një kasolle. Madje jo. As një kasolle s’mund të quhet. Është një orvatje e dëshpëruar për të mbledhur në një vend të vogël kokën, që të mos laget nga shiu dhe të mos përplaset nga era.

Kjo është historia e një familje shqiptare me 4 pjesëtarë dhe një shembull i mirfilltë. Me të vërtetë e keqja nuk ka fund.

Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ e takoi familjen kavajase. Historitë që tregojnë Dori, 14 vjeçe dhe Bora 16 vjeçare, janë me të vërtetë shembuj të mjerimit.

Dori: Ne dukemi në rrugë kur dalim si dy vajza normale, por kur vijmë në shtëpi është një realitet krejt tjetër, shoqet e mia nuk e dinë se unë jetoj në këtë shtëpi, nuk ua kam treguar, ata kujtojnë se kam një shtëpi normale, duan që t’i ftojmë por unë I kam shmangur, kisha frikë se mos mendonin keq, nuk duhet të kesh turp por…dhomat janë të vogla nuk na nxë të gjithëve, u dhemb para një jave barakja. Natën kemi frikë të dalim, vijnë qentë. Ne verë futen gjarpërinjtë, shkojmë nga gjyshërit. Kur është koha e mirë ne flemë brenda, mami dhe babi fle jashtë. 

Dhe mjerimi shfaqet sërish, atëherë kur në qiell ka diell. Burrë e grua dali jashtë asaj gjysëm-kasolleje për të fjetur jashtë. Me tokën i ndan një tapet i vjetër ndërsa trupin ia mbulon një batanije. Brenda flenë vajzat, ndërsa kryefamiljari mbetet zgjuar në të hapur.

Sytë i hedh në errësirë me shpresën se nesër do të gjejë më shumë hekurishte për t’i blerë të bijave ushqim.

“Lahemi me kazan përjashta, është e frikshme kjo situatë, edhe jashtë kemi fjetur që vajzat të flinin të dyja në divan, unë rri këtu nga sikleti është një vuajtje e paparë, një pjesë të trupit pot ë ma kërkonin unë do ta shisja që ato të jenë mirë”,-shprehet kryefamiljari.

Shpesh herë Dori dhe Bora ‘largohen’ nga ky mjerim për të vizituar gjyshërit. Të moshuarit nuk kanë një banesë, por të paktën strehohen brenda një kontenieri. Dori tregon në lot se dhe e ëma ka qenë sëmurë pak kohë më parë dhe iu nënshtruar një operacioni. Dëshira për të vijuar universitetin është e madhe, por sa do t’ja arrijë me kushtet e saj…

“Mami është sëmurë, kreu një operacion, mjeku tha nëse do vonohej ajo do vdiste, kemi shumë frikë se mos e humbim mamin, ne përballojmë gjithçka por nuk mund të humbasim askënd në familje. Prindërit janë heronjtë tani, babi rropatet lodhet për ne nëpër hekurishte, ne e shikojmë nuk mund te bëjmë dot asgjë, ai jep gjithçka për ne, jemi me fat që kemi babin, ndihem keq për të. Kemi frikë nga paragjykimi, që ne mos të mbetemi pa shkollë ata morën para borxh, me mësimet jam shumë mirë, dëshirë kam të vazhdoj universitetin por me këto kushte, jam nxënëse e mirë, edhe pse pa kushte, nëse nuk do ta vazhdoja universitetin do më mbetej peng, dua t’i bëj prindërit krenarë, ëndrra jonë është të kishim një shtëpi, të kishim një dhomë të përbashkët, do doja një dhomë me raft librash, të kisha krevatin tim, një tavolinë për të studiuar, u bëj thirrje gjithë shqiptarëve që të na ndihmonin edhe ne të bëhemi me një shtëpi të re”, -shprehet Dori.

Për të parë se çfarë bënë shqiptarët për shqiptarët për këtë rast, klikoni këtu